Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka zbardhur takimin e zhvilluar të premten mes ambasadorit amerikan Eric Wendt dhe ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Në fokus të takimit ishte bashkëpunimi SHBA-Shqipëri në fushën e mbrojtjes, forcimi i gatishmërisë operacionale dhe rritja e kapaciteteve të NATO-s.
“Më të fortë së bashku!”, shkruan Ambasada Amerikane, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë partneri kryesor i Shqipërisë në fushën e mbrojtjes.
Sipas ambasadës, gjatë takimit Wendt dhe Nufi diskutuan forcimin e gatishmërisë operacionale përmes partneritetit 25-vjeçar mes Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju Xhersit.
Një tjetër çështje në fokus ishte rritja e kapaciteteve të NATO-s, si dhe roli i Shqipërisë në përpjekjet ndërkombëtare për garantimin e sigurisë.
Ambasada amerikane vuri në dukje edhe kontributin e Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën (ISF), duke e cilësuar atë si një kontribut të rëndësishëm për sigurinë globale.
“Gjatë takimit me Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, Ambasadori Eric Wendt diskutoi se si forca e aleancës sonë dëshmohet me veprime konkrete”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

