
Procedura për shitjen e truallit të ish-Rafinerisë së Cërrikut është zhvendosur në Gjykatën e Lartë, pas përplasjes ligjore mes shoqërisë shtetërore “Petrol Alba” SHA, në likuidim, dhe Komisionit të Prokurimit Publik.
Rekursi është depozituar në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë, pas vendimmarrjes së Komisionit të Prokurimit Publik, i cili konstatoi shkelje në procedurën e ankandit dhe anuloi përpjekjen për shitjen e këtij aseti kompanisë “Alb Building” shpk.
Ankandi publik ishte zhvilluar më 12 mars 2025 dhe përfshinte dy pasuri në Zonën Kadastrale 2441 në Cërrik, me një sipërfaqe totale prej 48,150 metrash katrorë truall dhe ndërtesa.
Sipas të dhënave të procedurës, vlera fillestare e përcaktuar për shitjen e pasurisë ishte 31,266,135 lekë.
Në ankand morën pjesë katër konkurrentë. Mes tyre ishin shoqëritë “Alb Building” shpk dhe “DEHA 2010” shpk, si dhe dy individë, Gerti Shanaj dhe Antion Dollani.
Në fazën e parë të procedurës, komisioni i ankandit skualifikoi dy ofertuesit individë dhe vijoi me hapjen e ofertave të dy shoqërive.
Fitues u shpall “Alb Building” shpk, me një ofertë prej 35,080,603.80 lekësh pa TVSH. Kjo shumë rezultonte në rreth 728.57 lekë për metër katror për sipërfaqen e truallit industrial.
Procedura u kundërshtua dhe çështja përfundoi në shqyrtimin e Komisionit të Prokurimit Publik. Ky i fundit konstatoi shkelje në mënyrën e zhvillimit të ankandit dhe anuloi procedurën.
Pas këtij vendimi, “Petrol Alba” ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë, duke e çuar tashmë përballjen ligjore në Kolegjin Administrativ.
Në qendër të procesit gjyqësor pritet të jetë ligjshmëria e procedurës së ankandit, skualifikimi i dy ofertuesve individë dhe mënyra se si u shpall fitues kompania “Alb Building” për një prej pasurive të rëndësishme shtetërore në Cërrik.
Arsyeja zyrtare e përdorur për skualifikimin e kandidatit Gerti Shanaj ishte mosdorëzimi i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2021.
Shanaj paraqiti menjëherë ankesë duke argumentuar se kishte dorëzuar deklaratat e viteve 2022, 2023 dhe 2024, pasi afati i ligjshëm për vitin 2024 mbyllej më 31 mars 2025 dhe ky konsiderohej viti i fundit i mbyllur.
Ai pretendoi se komisioni kishte vendosur qëllimisht kritere konfuzuese jashtë ligjit bazë me synimin e vetëm për të përcaktuar fituesin pa garë.
Shkelje e ligjit
Zbulimi më i rëndë i dosjes administrative ka të bëjë me nxitimin flagrant të drejtuesve të "Petrol Alba". Sipas Ligjit "Për Ankandin Publik", sapo një konkurrent dorëzon ankesë me shkrim, autoriteti shitës ka detyrimin ligjor të pezullojë menjëherë procedurën derisa ankesa të shqyrtohet plotësisht.
Gerti Shanaj e dorëzoi ankesën e tij më 18 mars 2025, por në vend që të ngrinte garën, likuidatori në detyrë i "Petrol Alba", Ilir Zela, ndërmori një sërë hapash të shpejtë brenda të njëjtës ditë, më 20 mars 2025.
Ai nënshkroi formularin e njoftimit të fituesit dhe njoftimin e shpalljes së fituesit për Alb Building, si dhe ia dërgoi shkresat Agjencisë së Prokurimit Publik duke kërkuar publikimin e menjëhershëm në Buletin, gjë që u pasqyrua në Buletinin Nr. 14 të datës 25 mars 2025.
I vënë nën presion, Petrol Alba tentoi të justifikohej përpara KPP-së përmes një shkrese ku pretendonte se kompania ndodhej në krizë të thellë likuiditeti.
Ata dorëzuan një akt të bankës "Credins" që vërtetonte se llogaritë e shoqërisë nuk kishin fonde as për pagat e punonjësve dhe se kjo shitje ishte emergjente, pasi kompania u detyrohej 150 punonjësve aktualë dhe të larguar një vlerë prej 42,452,700 lekësh për paga të prapambetura mbi dy vite.
Bllokim dhe hetim
Komisioni i Prokurimit Publik, rrëzoi tërësisht strategjinë e përdorur nga autoriteti shitës. Përmes një vendimi, KPP konstatoi pavlefshmërinë absolute të formularit të njoftimit të fituesit dhe shkresës së publikimit të datës 20 mars, duke specifikuar se ato janë ligjërisht jo-ekzistente pasi u nxorën në shkelje të hapur të urdhrit të pezullimit./Kapital
KPP urdhëroi anulimin e shpërblimit të garës për "Alb Building" shpk, kthimin e situatës në gjendjen fillestare dhe detyrimin e "Petrol Alba" për të rishikuar skualifikimin e Gerti Shanajt.
KPP vuri në dukje se komisioni i ankandit duhej të kërkonte sqarime zyrtare dhe të verifikonte në tatime nëse Shanaj ka qenë ose jo në kushtet detyruese për vitin 2021 përpara se ta përjashtonte.
Në përfundim, KPP i dërgoi propozim zyrtar Agjencisë së Prokurimit Publik për nisjen e një hetimi administrativ për konstatimet dhe shkeljet e kryera gjatë kësaj procedure.
Ky vendim bllokoi kalimin e pronësisë së 4.8 hektarëve tokë shtetërore në Cërrik drejt kompanisë private, gjë që ka detyruar palët e prekura t'i drejtohen Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, duke e zhvendosur përfundimisht të gjithë konfliktin në rrugë gjyqësore.

