Lifestyle Love & Sex

A po ju zbrazin takimet romantike ‘portofolin’?! Ja zgjidhja më e lirë…

Takimet romantike po bëhen gjithnjë e më të kushtueshme, veçanërisht për të rinjtë. Por për të dalë në një takim nuk është e nevojshme të shpenzoni 150 dollarë apo më shumë. Në fakt, pothuajse çdo gjë mund të kthehet në një takim, nëse ka kimi mes dy njerëzve. Kostoja e romancës duket se po i frikëson gjithnjë e më shumë të rinjtë. Për një pjesë të brezit Z, një darkë për dy persona, dy pije, një antipastë dhe bakshishi mund të kushtojnë rreth 150 dollarë një shumë që shumë beqarë nuk janë më të gatshëm ta paguajnë për një takim që mund të mos çojë askund.  Por a duhet të jetë një darkë e shtrenjtë kusht për të gjetur dashurinë?

Takimi nuk ka pse të kushtojë një pasuri

Në qytetet e mëdha ka plot mënyra për të kaluar kohë me dikë pa shpenzuar shumë para. Muzetë falas, galeritë e artit, parqet apo plazhi mund të jenë vende shumë më të mira për një takim sesa një restorant luksoz. Në fund të fundit, qëllimi i një takimi është të kuptosh nëse përshtatesh me personin përballë jo të testosh sa i fortë është limiti i kartës së kreditit. Autori madje shkon edhe më tej me humorin e tij: sipas tij, pothuajse çdo situatë mund të jetë një takim. Edhe të qëndrosh në trafik, të presësh jashtë një restoranti apo të hipësh në ashensor mund të quhet “date”, nëse dy njerëzit kanë mundësinë të flasin dhe të shohin nëse ka kimi mes tyre.

Problemi lind kur të ardhurat janë shumë të ndryshme

Situata bëhet më e ndërlikuar kur njëri partner ka shumë më tepër mundësi financiare se tjetri. Autori tregon përvojën e tij personale si shkrimtar me të ardhura të paqëndrueshme, ndërsa partnerja e tij ishte në një situatë shumë më të mirë ekonomike. Ajo që fillimisht ishte një marrëdhënie mes dy njerëzve të barabartë, filloi t’i shkaktonte atij stres sa herë vinte fatura. Kjo është një situatë me të cilën mund të përballen shumë çifte: jo domosdoshmërisht mungesa e parave, por ndjenja e fajit dhe presioni kur njëri paguan vazhdimisht për tjetrin.

A duhet të prisni derisa të jeni financiarisht mirë për të dashuruar?

Autori pranon se ka një logjikë pas idesë për të pritur derisa jeta të jetë më e stabilizuar. Një lidhje kërkon jo vetëm para, por edhe kohë, energji dhe mbështetje emocionale. Megjithatë, ai argumenton se nuk ekziston momenti perfekt për dashurinë. Nuk bëhemi papritur njerëz pa probleme, me financa perfekte dhe me jetën plotësisht të sistemuar. Nëse presim derisa gjithçka të jetë në rregull, mund të kalojë shumë kohë. Dashuria, sipas tij, duhet parë më shumë si pjesë e rritjes personale sesa si një investim që duhet patjetër të japë rezultat.

Zgjidhja? Një takim i lirë dhe pak sinqeritet

Mesazhi është i thjeshtë: nuk ke nevojë të jesh i pasur për të dalë në një takim. Nëse të dy jeni në vështirësi financiare, mund të bini dakord për aktivitete të lira ose falas. Nëse gjendja ekonomike e njërit është më e mirë, komunikimi i hapur për paratë mund të shmangë shumë siklete. Në vend që të hiqni dorë nga takimet për shkak të çmimeve, mund të provoni një shëtitje, një piknik, një muze falas, një kafe ose thjesht një bisedë të gjatë në park. Sepse në fund të fundit, takimi më i mirë nuk është ai që kushton më shumë, por ai pas të cilit dëshironi ta shihni përsëri personin përballë. Dhe nëse llogaria bankare është bosh? Të paktën mos e lini edhe zemrën bosh.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.