Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka arrestuar në flagrancë administratorin e shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., Leli Kaja, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas njoftimit të SPAK, arrestimi është kryer sot nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026.
Procedimi është regjistruar më 1 tetor 2026, pas një referimi të bërë nga BKH. Gjatë hetimit janë përdorur metoda speciale hetimi, si dhe janë kryer veprime të simuluara.
Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, SPAK dyshon se Leli Kaja ka kërkuar dhe marrë shumën prej 400 mijë lekësh nga administratori i një operatori ekonomik.
Sipas prokurorisë, shuma dyshohet se është marrë në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkohen administratorit të “ECO-ELB” sh.a. në bazë të ligjit.
Gjatë kontrollit personal, hetuesit i kanë gjetur dhe sekuestruar Leli Kaja shumën prej 400 mijë lekësh, e cila është marrë në cilësinë e provës materiale.
Hetimet nga SPAK dhe BKH vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë çështje.

