POLITIKË /

Rama pret delegacionin amerikan, publikon foto nga takimi me ambasadorin Wendt dhe kongresmenët

Delegacioni i Dhomës së Përfaqësuesve, i kryesuar nga kongresmeni Vern Buchanan, zhvilloi më herët një takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi.

Shkruar nga Versus

Rama pret delegacionin amerikan, publikon foto nga takimi me ambasadorin Wendt

Kryeministri Edi Rama ka pritur këtë të hënë në Kryeministri një delegacion të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, në kuadër të vizitës së përfaqësuesve amerikanë në Tiranë.

Rama ka publikuar një fotografi nga takimi, ku shfaqet së bashku me ambasadorin amerikan Eric Wendt dhe përfaqësuesit e Kongresit të SHBA-së.

“Sot në kopshtin e Kryeministrisë me përfaqësinë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara (US CODEL)”, shkruan Rama në rrjetet sociale, duke shoqëruar postimin me flamujt e Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Delegacioni i Dhomës së Përfaqësuesve, i kryesuar nga kongresmeni Vern Buchanan, zhvilloi më herët një takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi.

Gjatë takimit në Kuvend u diskutua për forcimin e partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA, bashkëpunimin në NATO, sigurinë rajonale, procesin e integrimit europian dhe zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Vizita zhvillohet në një moment kur ambasadori i ri amerikan, Eric Wendt, ka nisur zyrtarisht detyrën në Shqipëri. Wendt mori detyrën më 26 shtator.

Takimet e njëpasnjëshme të përfaqësuesve amerikanë me drejtuesit e institucioneve shqiptare vijnë në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën politike, ekonomike dhe të sigurisë./Versus.al

 

Poll