
Tensionet janë përshkallëzuar mbrëmjen e sotme para Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit kanë tentuar të bllokojnë hyrje-daljet e ndërtesës për të penguar largimin e deputetëve.
Protestuesit kërkojnë miratimin në tërësi të ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa situata është tensionuar pas hedhjes së mjeteve piroteknike në drejtim të zonës pranë Kuvendit.
Policia e Kosovës ka shtuar forcat në perimetrin e ndërtesës dhe ka angazhuar njësitet për kontrollin e turmave. Efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Në zonën përreth Kuvendit janë dëgjuar edhe sirenat e autoambulancave, ndërsa policia kishte vendosur më herët një kordon sigurie pranë godinës.
Rreth orës 19:00, disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë parë duke u larguar nga ndërtesa e Kuvendit, në një kohë kur protestuesit vijonin qëndrimin jashtë saj.
Nga brenda Kuvendit, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, u bëri thirrje deputetëve të Vetëvendosjes që të rikthehen në sallë dhe të votojnë në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ky nuk është favor. Kjo është detyrë dhe obligim. Ne jemi këtu dhe nuk do të largohemi”, deklaroi Çitaku.
Protestuesit kanë paralajmëruar qëndrimin pranë Kuvendit deri në përfundimin e procesit të votimit, ndërsa situata vijon të monitorohet nga forcat e rendit./Versus.al

