Shtëpia e Bardhë po monitoron situatën në rajonin Irkutsk të Rusisë, ku është raportuar një rast i dyshuar i murtajës pneumonike pas vdekjes së një punonjëseje të një instituti kërkimor. Rreth 200 persona që mund të kenë pasur kontakt me 28-vjeçaren janë vendosur nën mbikëqyrje mjekësore.
Një zyrtar i administratës së presidentit amerikan Donald Trump i tha Axios se administrata amerikane “është në dijeni, po monitoron shpërthimin dhe po vlerëson opsionet”.
Autoritetet ruse kanë marrë një sërë masash parandaluese, por deri tani nuk kanë konfirmuar se gruaja ishte prekur nga murtaja.
Daria Shipilova, 28 vjeçe, punonte si teknike laboratori në Institutin Kërkimor Kundër Murtajës në Irkutsk. Sipas raportimeve të mediave lokale, ajo mund të jetë ekspozuar më 25 shtator, pasi dyshohet se theu një epruvetë që përmbante patogjenin përgjegjës për murtajën pneumonike. Megjithatë, kjo rrethanë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Shipilova u shtrua në spital më 29 shtator me simptoma të rënda të ngjashme me pneumoninë dhe humbi jetën gjatë natës mes 1 dhe 2 tetorit.
Pas vdekjes së saj, autoritetet vendosën masa karantine në disa institucione shëndetësore dhe vunë nën mbikëqyrje 189 persona që mund të kishin pasur kontakt me të.
Guvernatori i Irkutskut, Igor Kobzev, e ka përshkruar rastin si një dyshim për “infeksion veçanërisht të rrezikshëm”. Ai tha se personat nën mbikëqyrje nuk kishin shfaqur simptoma dhe kishin rezultuar negativë në testime.
Edhe Ministria ruse e Shëndetësisë deklaroi se 28-vjeçarja kishte vuajtur nga “pneumoni me etiologji të panjohur” dhe se analizat e mëtejshme nuk kishin zbuluar mikroorganizma të lidhur me aktivitetin e saj në laborator. Sipas ministrisë, situata epidemiologjike në rajon mbetet e qëndrueshme.
Megjithatë, masat e marra nga autoritetet kanë ngritur pikëpyetje. Sipas raportimeve, drejtuesja e Rospotrebnadzor dhe zyrtarja më e lartë sanitare e Rusisë, Anna Popova, udhëtoi nga Moska drejt Irkutskut për të mbikëqyrur reagimin ndaj situatës.
Raportohet gjithashtu se disa aktivitete publike janë anuluar dhe se në disa farmaci janë pakësuar rezervat e antibiotikëve pas rritjes së kërkesës.
Ndërkohë, disa paralajmërime dhe raportime që lidhen me murtajën janë hequr nga hapësira publike. Autoritetet në Baikalsk fshinë një njoftim që u kërkonte banorëve të shmangnin udhëtimet drejt Shelekhovit, ndërsa REN TV hoqi disa postime ku përmendej murtaja.
Edhe kreu i Buryatias fqinje, Alexey Tsydenov, fillimisht deklaroi se Shipilova kishte vdekur nga murtaja, por më pas e ndryshoi formulimin, duke thënë se ajo “mund të ketë vdekur nga murtaja”.
Pavarësisht masave të marra, diagnoza mbetet e pakonfirmuar. Deri më 4 tetor, autoritetet ruse deklaronin se personat e vendosur nën mbikëqyrje nuk kishin shfaqur simptoma dhe kishin rezultuar negativë në testime.
#Rusi #Siberi #Irkutsk #Murtaja #SHBA #Trump #Shëndetësi #Epidemi

