Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë një punonjës të Policisë së Shtetit, i dyshuar se ka marrë para për të favorizuar një person ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas AMP-së, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, është arrestuar inspektori Çlirim Torra, me detyrë specialist i Policisë së Zonës (SPZ) pranë Stacionit të Policisë Prrenjas, në varësi të Komisariatit të Policisë Librazhd.
Nga veprimet hetimore dyshohet se efektivi ka marrë një shumë parash në këmbim të favorizimit të shtetasit me inicialet A.R., ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas dyshimeve të ngritura nga hetimi, efektivi do t’i mundësonte personit nën masën e sigurisë të shkelte “arrestin në shtëpi” dhe të largohej nga banesa, duke mos respektuar kushtet e vendosura nga gjykata.
Në përfundim të veprimeve hetimore, ndaj inspektorit Çlirim Torra rëndojnë dyshimet për veprat penale “Korrupsioni pasiv” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
AMP bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për përcaktimin e përgjegjësive të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore deklaron se do të vijojë veprimtarinë kundër rasteve të korrupsionit dhe shkeljeve që cenojnë integritetin e punonjësve të strukturave ligjzbatuese.

