
Protestuesit janë përleshur me Policinë, teksa tensionet para Kuvendit të Kosovës janë përshkallëzuar. Policia përdori gaz lotsjellës pasi disa protestues hodhën mjete piroteknike drejt Kuvendit.
Policia e Kosovës tha se përdori gaz lotsjellës mbrëmjen e 5 tetorit për të mundësuar daljen e deputetëve dhe zyrtarëve nga Kuvendi, pasi një grup protestuesish ua kishte penguar largimin.
Sipas njoftimit, protestuesit hodhën gjësende dhe mjete piroteknike drejt ndërtesave shtetërore, ndërsa disa deputetë e zyrtarë u detyruan të ktheheshin brenda Kuvendit.
Policia raportoi dëme materiale nga hedhja e mjeteve piroteknike dhe ndezja e kontejnerëve të mbeturinave e zjarreve në rrugë. Sipas saj, deri në publikimin e njoftimit nuk ishte raportuar për lëndime serioze.
Protestuesit kërkojnë miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale. Policia tha se protesta po vazhdon dhe u bëri thirrje pjesëmarrësve të protestojnë paqësisht.


