
Protesta në Prishtinë është përshkallëzuar gjatë pasdites, duke lënë të plagosur tetë persona, mes tyre edhe një pjesëtar të Policisë së Kosovës.
Të lënduarit janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa gjendja e tyre po monitorohet nga mjekët.
Protesta kishte nisur që në orët e mëngjesit, me kërkesën për votimin e ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Situata u tensionua pasi protestuesit hodhën flakadanë dhe fishekzjarre në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Në përgjigje, Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Protestuesit kërkojnë që Kuvendi i Kosovës të miratojë, edhe në shqyrtim të dytë, ligjin për plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përshkallëzimi i protestës ka sjellë përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa situata vijon të mbetet e tensionuar në Prishtinë./Versus.al

