web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Zgjedhjet për Tiranën/ Braçe i “hap luftë” PS-së: Emër nga gara brenda partisë ose ngre shtabe vetë

5 Tetor 2026, 21:39, Politikë CNA

Zgjedhjet për Tiranën/ Braçe i “hap luftë”

Deputeti socialist Erion Braçe, deklaroi sot se emri për kandidaturën e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës duhet të dalë nga gara brenda Partisë Socialiste.

Në një studio televizive, Braçe paralajmëroi se nëse strukturat nuk angazhohen, do ta ndërmarrë vetë këtë hap.

Siç u shpreh socialisti, ky është momenti për të ngritur shtabe në Tiranë për një proces demokratik brenda partisë, prej së cilës do të dalë kandidatura zyrtare që do të garojë përballë emrit që vjen nga opozita.

Braçe ironizoi se ndër vite është parë edhe se çfarë ndodh kur merret një vendim pa dakordësinë e shumicës.

“Ky është muaj deciziv në gjykimin tim. Nëse do të kishte një rast që duhej mbledhur Kryesia e partisë, Asambleja e PS duhet të ishte kjo reformë. Mblidhen ata që duhet të informojnë deputetët, por që s’i kanë informuar. Nëse këta e kanë marrë seriozisht zgjedhjet, ky është muaji i fundit.

Tirana është shumë e madhe, nis në Shëngjergj, do të shkojë në Rinas e Krrabë. Janë 1 milion banorë. Nëse duam që të bëhet diçka për Tiranën, është tani. Kam muaj që them që socialistëve, por edhe qytetarëve të Tiranës, nuk u duhet njoftim nga PS për emrin e kandidatit.

U duhet një proces i nisur nga PS që përfshin masën e gjerë që mendon se PS e ka fuqinë për ta përdorur PS si instrument për të bërë këtë qytet të mirëqeveriset. Kërkoj një proces me garë brenda që bën më të mirën për qytetarët, për të energjizuar mbi të gjitha PS, për ta bërë pjesë të vendimmarrjes çdo qytetar. Nëse s’ndodh kjo, do ta bëj unë. Si? Me shtabe. Jemi në një moment kur mua më duhet të flas me socialistët.

Të ngre shtabe në të gjithë Tiranën me socialistë që mbështesin një proces demokratik për të zgjedhur më të mirin kandidat brenda PS. Mund të mos votohem unë, por duhet të jetë një proces që pranohet nga socialistët, të majtët dhe qytetarët. E kemi përvojën se çfarë ndodh kur merr vendime për ta, por pa i pyetur”, tha Braçe./CNA

 





Lajmet e fundit nga