Tatimpaguesit që synojnë të përfitojnë nga masat lehtësuese të parashikuara në skemën e “Faljes me Kusht” kanë edhe 57 ditë kohë për të paraqitur aktin e heqjes dorë nga proceset e ankimit administrativ apo gjyqësor.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka rikujtuar subjekteve se akti i heqjes dorë nga ankimi administrativ, padia, ankimi apo rekursi duhet të depozitohet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse. Kërkesa duhet të paraqitet zyrtarisht nga vetë subjekti dhe përpara kryerjes së pagesës së detyrimit principal.
Sipas administratës tatimore, heqja dorë nga procesi i ankimit përbën një nga kushtet për përfshirjen në skemën e faljes për tatimpaguesit që kanë detyrime në proces ankimi.
Afati i fundit për paraqitjen e aktit të heqjes dorë nga ankimi është 30 nëntor 2026. Për këtë arsye, Tatimet u bëjnë thirrje subjekteve që të respektojnë afatet e përcaktuara ligjore për të përfituar nga lehtësitë fiskale.
Për informacion të mëtejshëm ose asistencë, tatimpaguesit mund të kontaktojnë administratën tatimore në adresën elektronike info.falja@tatime.gov.al.
Ligji për faljen e detyrimeve tatimore, i cili hyri në zbatim gjatë vitit 2026, synon të trajtojë një pjesë të stokut të vjetër të borxhit tatimor, të rrisë arkëtimet dhe të lehtësojë barrën e detyrimeve të akumuluara për bizneset dhe tatimpaguesit.
Ligji nr. 86/2025 parashikon fshirjen ose shuarjen e një pjese të detyrimeve tatimore të papaguara, si dhe të gjobave dhe kamatëvonesave, me kushte që ndryshojnë në varësi të periudhës kur janë krijuar detyrimet.
Për detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014, parashikohet fshirja e plotë e detyrimeve tatimore, së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat. Përjashtim bëjnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për të cilat principali nuk fshihet.
#Tatime #FaljaMeKusht #DetyrimeTatimore #Biznes #AdministrataTatimore #LehtësimeFiskale #Shqipëri

