Era e fortë e kanabisit ka çuar policinë gjermane në zbulimin e një plantacioni të madh të kultivimit të drogës në Kalbe, në landin Saksoni-Anhalt.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e 2 tetorit, gjatë një kontrolli rutinë policor në zonë. Efektivët kanë konstatuar erën e kanabisit që vinte nga një godinë e pabanuar në rrugën “Breiten Weg”.
Pas kontrollit të objektit, policia ka zbuluar rreth 800 bimë kanabisi, të cilat ndodheshin në faza të ndryshme të rritjes.
Brenda godinës janë gjetur edhe dy shtetas shqiptarë, 32 dhe 56 vjeç. Të dy janë ndaluar menjëherë nga autoritetet gjermane dhe janë vënë në pranga.
Më 3 tetor, dy shqiptarët kanë dalë para gjykatës pas kërkesës së Prokurorisë së Stendalit. Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit për të dy, ndërsa më pas ata janë dërguar në institucionet penitenciare.
Deri tani, autoritetet gjermane nuk kanë bërë të ditur detaje të tjera mbi organizimin e plantacionit apo rolin konkret të dy të arrestuarve. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vijojnë.













