Miratimi i ndryshimeve për Specialen në pikëpyetje, PDK thirrje tjetër Kurtit! 12 të lënduar gjatë protestave

Miratimi i ndryshimeve për Specialen në pikëpyetje, PDK thirrje tjetër Kurtit! 12 të lënduar gjatë protestave

22:40, 05/10/2026

 Pas disa orësh protestë, ende po vazhdojnë tensionet në shesh dhe jashtë Kuvendit të Kosovës.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka bërë të ditur se 12 persona janë lënduar gjatë protestës, një prej tyre pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe 11 civilë.

Syla ka thënë se shumica e të lënduarve janë ankuar për pasojat e gazit lotsjellës, ndërsa dy persona kanë pasur lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit.

“Janë të lënduar 12 persona, prej tyre një polic dhe 11 civilë. Shumica prej tyre janë ankuar nga gazi lotësjellës. Dy prej tyre kanë pasur lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit. Të gjithë janë trajtuar në Qendrën Emergjente dhe pas trajtimit janë lëshuar shtëpi”, theksoi ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri bashkë me Altin Krasniqin, djalin e Jakup Krasniqit kanë dalë te protestuesit dhe janë deklaruar.

Tahiri nga aty ka ftuar sërish deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, që të vijnë në Kuvend dhe të votojnë edhe në lexim të dytë për ndryshimet në Ligjin për Specialen.

Tahiri gjithashtu ka thënë se aktualisht në ambientet e Kuvendit të Kosovës janë të gjithë deputetët e PDK-së dhe Aleancës, por nuk janë ata të Vetëvendosjes apo Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Qytetarët me të drejtë kanë kërkuar që deputetët të qëndrojnë në Kuvendin e Kosovës. Do të jemi  edhe në shesh edhe në Kuvendin e Kosovës deri në minutat e fundit sa të përfundojë mandati. Janë të gjithë deputetët e PDK-së dhe Aleancës. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Protestuesit e mbledhur kanë thënë se s’do të lejojnë deputetët të largohen derisa të mos votohet edhe në lexim të dytë ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ndryshimi u votua në lexim të parë, por në takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të PDK-së, Bedri Hamza, pasditen e të hënës nuk u arrit dakordim për t’u votuar në lexim të dytë. Nga PDK-ja thanë se Kurti ka kushtëzuar votimin e presidentit me votimin e ndryshimit të Ligjit për Specialen. Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 6 tetori.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco