Reforma e re territoriale ka sjellë përplasje mes kryebashkiakut të Divjakës, Josif Gorrea, dhe kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku. Gjatë debatit në Euroneës Albania, Gorrea kundërshtoi bashkimin e Divjakës me Lushnjën dhe i kërkoi Maznikut të mos e votojë reformën. Sipas kryebashkiakut, ndryshimet rrezikojnë të ndikojnë në funksionimin e pushtetit vendor dhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Në fokus të debatit ishte edhe urbanistika. Gorrea ngriti shqetësimin se një pjesë e shërbimeve do të zhvendosen në qendrat më të mëdha, ndërsa Mazniku argumentoi se shërbimet do të vijojnë të ofrohen aty ku janë sot. Mazniku mbrojti gjithashtu idenë se bashkitë e reja do të kenë më shumë kapacitete dhe se reforma synon afrimin e strukturës administrative me qytetarët.
Pjesë nga debati:
Gorrea: Mos e voto reformën territoriale, Maznik! Ky është një vendim i gabuar.
Mazniku: Do takohemi pas katër-pesë vjetësh dhe do të thuash: E kuptova që isha gabuar.
Gorrea: Njerëzit më kanë besuar, prandaj më besojnë.
Mazniku: Prandaj Partia Socialiste të ka besuar. Nuk ka asnjë problem që të mos biem dakord, nuk ka asnjë problem që të mendojmë ndryshe. Është krejt normale. Ti e di shumë mirë, unë nuk kam asnjë interes në Divjakë, zero. Gjithashtu, jam i bindur që ti këtë diskutim dhe debat e bën i nisur nga ajo që ti beson në mënyrë gjenuine që janë interesat më të mira, dhe është krejt normale të mos biem dakord. Por ama, unë të them duke të parë në sy, me shumë bindje, qytetarëve të Divjakës, qytetarëve të Prenjasit, qytetarëve të Belshit, Cërrikut, qytetarëve të Fushë-Arrëzit dhe të gjitha me radhë, do t’u bëhet jeta shumë herë më e mirë në krye të katër vjetëve. Do të ritakohemi pas katër vjetësh bashkë dhe do të biem dakord. Ashtu siç iu bë më e mirë qytetarëve të Gradishtës, të Rremasit, Grabjanit dhe të Tërbufit.
Gorrea: Dy shërbime! Dy shërbime po jap, Maznik: Ku do të shkojë urbanistika?
Mazniku: Një pjesë do të rrijë aty, një pjesë do të shkojë në qendër.
Gorrea: Ku do të merren lejet e urbanistikës?
Mazniku: Aty ku merren sot, njësoj!
Gorrea: Për çfarë po shkon në Lushnjë urbanistika?
Mazniku: Që të bëjë plan urbanistik, se ti nuk bën dot plan urbanistik. Ti nuk ke bërë dot plan urbanistik! Ti sot, në vitin 2024-2025, nuk ke një urbanist në bashki. Ke urbanist në bashki?
Gorrea: Po të jap një shërbim tjetër, Maznik. Para dy muajsh gjendja civile u shkurtua. Pra, gjendja civile, shërbimi i gjendjes civile deri para dy muajsh ishte në çdo njësi. U shkurtua, ka ardhur në Divjakë. Është përkeqësuar.
Mazniku: Pse është përkeqësuar? Sepse problemi është sot te gjendja civile.Ty të duhet të shkosh te zyra fizikisht vetëm për regjistrime/çregjistrime vdekjesh dhe regjistrime/çregjistrime lindjesh. Këto janë të dyja veprimet e vetme për të cilat duhet të shkosh fizikisht te gjendja civile. Dhe ne e kemi luksin, unë dhe ti, të paguajmë një person që të bëjë një shërbim, të japë një njësi shërbimi në muaj?! Ndërkohë që të gjitha shërbimet e tjera të gjendjes civile i merr këtu online.
