Prishtina është përfshirë nga tensione të forta mbrëmjen e 5 tetorit, pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të përfundonte votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Projektligji ishte miratuar më herët në lexim të parë me 91 vota pro, por votimi përfundimtar mbeti pezull pas largimit të disa deputetëve nga salla.
Jashtë Kuvendit, protesta u përshkallëzua në përplasje me Policinë. Protestuesit hodhën mjete piroteknike dhe bllokuan daljet e institucionit, ndërsa Policia përdori gaz lotsjellës për të mundësuar largimin e deputetëve dhe zyrtarëve.
Sipas raportimeve, 12 persona kërkuan ndihmë mjekësore pas incidenteve, kryesisht për shkak të ekspozimit ndaj gazit lotsjellës, ndërsa nuk pati persona në rrezik për jetën.
Në protestë u përfshinë edhe përfaqësues të opozitës. PDK dhe AAK kërkuan që deputetët të rikthehen në sallë dhe të përfundojnë votimin e ndryshimeve për Specialen.
Ngërçi lidhet edhe me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje kërkon që fillimisht të zgjidhet presidenti, ndërsa PDK këmbëngul që më parë të miratohen ndryshimet për Dhomat e Specializuara. Takimi mes Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës për gjetjen e një kompromisi përfundoi pa marrëveshje.
Ndërkohë, Policia e Kosovës deklaroi se ndërhyrja u ndërmor pasi protestuesit hodhën mjete të ndryshme drejt institucioneve dhe tentuan të pengonin lëvizjen e deputetëve dhe zyrtarëve, ku pati edhe disa të arrestuar.
