Vetëm pak orë para skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ende nuk ka marrëveshje mes partive dhe as seancë të Kuvendit të paralajmëruar zyrtarisht. Ndwrkohw kryeministri Albin Kurti, ka thirrur një konferencë për media në orën 15:00, pa bërë të ditur se për çfarë do të flasë.
Ngërçi mbetet te rendi i dy votimeve. PDK kërkon që Kuvendi të votojë fillimisht në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe vetëm më pas të kalohet te presidenti. Bedri Hamza ka bërë të qartë se nuk do të ketë takim të ri me Kurtin pa u votuar ligji, ndërsa PDK i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit të thërrasë urgjentisht seancën.
Vetëvendosje kërkon që të zgjidhen të dyja çështjet, presidenti dhe Specialja, dhe deputetët e saj janë mbledhur në Kuvend. Por deri tani nuk ka njoftim për thirrjen e një seance.
LDK, nga ana tjetër, nuk mori pjesë në votimin e projektligjit për Specialen në lexim të parë dhe nuk ka ndryshuar qëndrim. Lumir Abdixhiku deklaroi sot se "etiketimet" dhe "kërcënimet" nuk ia ndryshojnë bindjen partisë.
Aleanca është rreshtuar me kërkesën për votimin e Speciales. Ramush Haradinaj tha se deputetët e saj ndodhen në Kuvend, por nuk kanë marrë ende ftesë për seancë, ndërsa u bëri thirrje deputetëve të tjerë të paraqiten dhe ta votojnë ligjin.
Ndërkohë, jashtë Kuvendit po zhvillohet për të dytën ditë protesta për Specialen. Protestuesit kërkojnë votimin në lexim të dytë të ndryshimeve dhe kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen derisa Kuvendi të marrë vendim.
E gjithë kjo po ndodh në ditën kur mbaron afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Nëse palët nuk gjejnë një zgjidhje brenda afatit, dështimi për zgjedhjen e kreut të shtetit çon në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme.
Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin brenda afatit të sotëm, Kosova përballet me zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Kur u propozua nisma për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara?
Nisma për ndryshimin e ligjit është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Ndryshimet e propozuara prekin disa çështje që lidhen me funksionimin dhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që raste të caktuara jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Projektligji parasheh gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, si dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.
Çfarë janë Dhomat e Specializuara?
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale, u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë me personel ndërkombëtar. Ato kanë mandat të hetojnë dhe gjykojnë pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së në periudhën nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.
Lajm ne perditesim...
Kryeministri Albin Kurti po zhvillon një takim me kryeparlamentaren Albulena Haxhiu dhe Glauk Konjufcën, vetëm pak orë para skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Takimi zhvillohet ndërsa deputetët e partive parlamentare ndodhen në ambientet e Kuvendit, por deri tani nuk ka ende një njoftim zyrtar për thirrjen e seancës.
Koordinimi mes Kurtit, Haxhiut dhe Konjufcës vjen gjithashtu pak para konferencës për media që kryeministri ka paralajmëruar për në orën 15:00.
Sot është dita e fundit e afatit për zgjedhjen e presidentit, ndërsa mbetet i pazgjidhur edhe votimi në lexim të dytë i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se PDK dhe Aleanca kanë dorëzuar nënshkrimet dhe i kanë kërkuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, të thërrasë seancën për votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
"Kemi kërkuar seancë, nuk ka arsye pse mos të votohet ligji në lexim të dytë", tha Hamza në një konferencë për media.
Ai bëri të ditur se PDK u ka dërguar ftesë edhe deputetëve të Vetëvendosjes dhe LDK-së që të paraqiten në Kuvend dhe të marrin pjesë në votim.
Hamza përsëriti se nuk do të ketë një takim tjetër me kryeministrin Albin Kurti pa u votuar më parë ligji për Specialen. PDK kërkon që votimi i ligjit të përfundojë përpara se të vazhdojnë bisedimet për zgjedhjen e presidentit.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara kaluan një ditë më parë në lexim të parë, por votimi i dytë dhe përfundimtar mbeti pezull. Vetëvendosje kërkon që të zgjidhet presidenti dhe të votohet edhe ligji, ndërsa PDK këmbëngul që fillimisht të përfundojë votimi për Specialen.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar një konferencë për media në orën 15:00, në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit dhe kur ndryshimet për Ligjin e Dhomave të Specializuara presin votimin përfundimtar.
Deputetët e Vetëvendosjes kanë nisur të futen në Kuvendin e Kosovës dhe të zënë vendet në sallë, ndërsa jashtë po vazhdon protesta për votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Mes të parëve është parë deputetja Arjeta Fejza, ndërsa në Kuvend kanë mbërritur edhe Glauk Konjufca dhe Agim Bahtiri.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbrojtur vendimin e partisë së tij për të mos marrë pjesë në votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke thënë se presioni dhe kritikat nuk do t'ia ndryshojnë qëndrimin.
"Të jesh LDK do të thotë ta mbash kokën lart dhe ta dish rrugën tënde. Rrugën e Ibrahim Rugovës. Të Kosovës së lirë, të pavarur e në miqësi të përhershme me Amerikën. UÇK-ja është edhe gjaku ynë. Me Amerikën e NATO-n na lidh vetë liria. Asnjë tregtari patriotizmi nuk ia lejojmë ta përvetësojë historinë që e bëmë bashkë", shkroi Abdixhiku.
Reagimi vjen një ditë pasi deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votimin e projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
"Etiketimet nuk na e ndryshojnë bindjen. Kërcënimet nuk na e përcaktojnë qëndrimin", deklaroi kreu i LDK-së.
Aleanca u ka bërë thirrje deputetëve të mblidhen në Kuvend dhe të votojnë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
"Deputetët duhet të vijnë në Kuvend dhe ta votojnë ligjin. Kjo është përgjegjësia jonë", deklaroi deputeti i Aleancës, Bekë Berisha.
Kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, tha se nuk ka marrë ende asnjë ftesë për seancë të Kuvendit. Më pas, Haradinaj dhe deputetë të tjerë të Aleancës dolën para Kuvendit për të përshëndetur protestuesit që kërkojnë votimin përfundimtar të ndryshimeve.
"Jemi një me çlirimtarët", iu drejtua Haradinaj protestuesve.
Atdhe Thaçi, nipi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është rikthyer sot mes protestuesve në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë, një ditë pasi u ndalua nga Policia gjatë përplasjeve para Kuvendit.
Atdhe Thaçi është parë mes qytetarëve që po protestojnë sërish për të kërkuar votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Ai u arrestua një ditë më parë gjatë protestës që u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe Policisë.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është nisur drejt Kuvendit të Kosovës, ndërsa jashtë godinës po zhvillohet protesta për votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Hamza është nisur drejt Kuvendit pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, e cila kërkoi thirrjen urgjente të seancës për përfundimin e votimit të ligjit.
“Pasojat janë të mëdha për shtetin e Kosovës. Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë, 6 tetori është dita e fundit kur Kosova duhet ta zgjedhë presidentin. Takim nuk do të ketë me Kurtin deri sa ligji të aprovohet në lexim të dytë. Për historinë e këtij vendi ligji është domosdoshmëri. Unë punoj që të ketë president dhe vendi të ketë stabilitet. Nëse s’do me PDK-në, le të flasë me LDK-në e AAK-në. Nuk bëhet presidenti pa marrëveshje politike”, ka thënë Bedri Hamza
Ka nisur sërish protesta para Kuvendit të Kosovës, me kërkesën që deputetët të votojnë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Organizatori Çlirim Haziri paralajmëroi se protestuesit nuk do të tërhiqen derisa të përfundojë votimi.
"Ose votojeni ligjin, ose dilni në zgjedhje me 'vulën e turpit'. Derisa ligji të votohet, ne nuk e bëjmë asnjë hap prapa", tha Haziri.
Ai iu drejtua drejtpërdrejt edhe deputetëve: "Kjo masë do t'ju ndjekë si hije, sepse kush luan me themelet e kombit, nuk do të gjejë paqe".
PDK i kërkon Kryetares së Kuvendit të thërrasë urgjentisht seancën për votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Në një komunikatë për mediat, partia këmbëngul se Specialja duhet të votohet pa u kushtëzuar me zgjedhjen e presidentit.
"Nëse ka pasur vota të mjaftueshme për miratimin në lexim të parë, i njëjti vullnet duhet të dëshmohet edhe në lexim të dytë", deklaroi PDK, duke shtuar se "kjo kauzë kombëtare nuk duhet të shndërrohet në pazar politik".
PDK njoftoi gjithashtu se do t'i dërgojë në Inspektoratin Policor të Kosovës rastet e pretenduara të dhunës dhe tejkalimit të kompetencave nga Policia gjatë protestës së mbrëmshme. Partia kërkon hetim edhe për atë që e cilëson përgjegjësi në "urdhërimin dhe zbatimin" e ndërhyrjes ndaj protestuesve.
PDK i kërkoi Qeverisë, kryeministrit dhe Ministrisë së Brendshme të mos e përdorin Policinë, sipas saj, "për ta shtypur me dhunë protestën", ndërsa dënoi përdorimin e forcës që e cilëson joproporcional.
Deklarata e plotw e PDK-sw
"Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje Kryetares së Kuvendit që të thërrasë me urgjencë seancën plenare për përmbylljen e miratimit të ligjit që mbron UÇK-në, çlirimtarët dhe historinë tonë.
Sot, institucionet dhe përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veprojnë pa vonesë. Ky moment kërkon vendimmarrje në interes të shtetit dhe përmbushje të detyrimeve ndaj përpjekjeve të popullit tonë për liri.
PDK e ka iniciuar këtë ligj pas takimeve dhe konsultimeve me të gjitha partitë politike shqiptare, me bindjen se mbrojtja e UÇK-së dhe e çlirimtarëve është përgjegjësi e përbashkët shtetërore. Ky ligj është më i madh se secila parti: ai lidhet drejtpërdrejt me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës. Prandaj, miratimi i tij kërkon unitet politik dhe përgjegjësi ndaj vendit.
Për PDK-në, prioriteti i menjëhershëm është përmbyllja e miratimit të ligjit në dy lexime. Kuvendi duhet ta përfundojë këtë proces pa zvarritje të mëtejshme dhe t’i japë përgjigje kërkesës së qytetarëve për mbrojtje të denjë të çlirimtarëve.
PDK rithekson se nuk ka asnjë pengesë ligjore apo procedurale për miratimin e këtij ligji. Pengesë nuk paraqet as opinioni i vetë Qeverisë. Nuk ka as arsye politike që ky proces të mbetet i papërfunduar: nëse ka pasur vota të mjaftueshme për miratimin në lexim të parë, i njëjti vullnet duhet të dëshmohet edhe në lexim të dytë.
Kjo kauzë kombëtare nuk duhet të shndërrohet në pazar politik apo të përdoret për kushtëzime partiake. Mbrojtja e UÇK-së dhe e çlirimtarëve kërkon dinjitet, përgjegjësi dhe vendimmarrje.
Gjithashtu, PDK dënon ashpër dhunën joproporcionale të ushtruar nga Policia e Kosovës ndaj protestuesve. Ushtrimi i dhunës jashtë standardeve të ndërhyrjes policore është i dënueshëm dhe krejtësisht i papranueshëm.
Protesta është e drejtë e çdo qytetari. Qytetarët kanë të drejtë të shprehin kundërshtimin ndaj vendimit në Hagë dhe të kërkojnë miratimin e ligjit në lexim të dytë. Kjo e drejtë duhet të respektohet dhe të mbrohet nga institucionet.
PDK kërkon nga Qeveria, Kryeministri dhe Ministria e Punëve të Brendshme të ndalin menjëherë veprimet e tyre jashtë rolit dhe kompetencave të tyre kushtetuese e ligjore dhe të mos e nxisin apo përdorin Policinë për ta shtypur me dhunë protestën dhe kërkesën e drejtë të qytetarëve. Asnjë urdhër politik nuk mund ta justifikojë përdorimin e forcës joproporcionale që mbrëmë ka lënë të lënduar shumë qytetarë.
PDK shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për secilin qytetar të lënduar gjatë protestës në këtë kauzë kombëtare.
PDK do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe do t’i adresojë në Inspektoratin Policor të Kosovës të gjitha rastet e evidentuara të dhunës dhe tejkalimit të autorizimeve. Kërkojmë hetim të plotë dhe llogaridhënie për përgjegjësinë në urdhërimin dhe zbatimin e këtyre veprimeve"
Në ditën e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti nuk ka treguar nëse do të zhvillojë një tjetër takim me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, apo nëse do të thirret sot një seancë e Kuvendit.
I pyetur për negociatat për presidentin dhe zhvillimet në Kuvend, Kurti u përgjigj shkurt: "Flasim prej Kuvendit e Qeverisë për këto çështje".
Kurti dhe Hamza u takuan një ditë më parë në përpjekje për të arritur marrëveshje për presidentin dhe votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, por takimi përfundoi pa dakordësi.
PDK nuk tërhiqet nga kushti për votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara përpara procesit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
"Nuk ka lëvizje në qëndrime. Ne vazhdojmë të insistojmë që ligji duhet të votohet në dy lexime", deklaroi deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
Deliu-Kodra konfirmoi gjithashtu se deputetët e PDK-së do t'u bashkohen qytetarëve para Kuvendit. "Do të jemi në protestë me protestuesit", tha ajo.
Qytetarët kanë nisur të mblidhen para Kuvendit të Kosovës, ku në orën 12:00 është paralajmëruar protesta në sheshin "Skënderbeu" për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Ndërkohë, deputetët e PDK-së janë nisur drejt Kuvendit. Deputeti Fadil Demaku tha për Klan Kosovën se PDK ka një qëllim sot: votimin në lexim të dytë të ndryshimeve për Specialen.
Demaku foli edhe për mundësinë e një takimi mes kreut të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit Albin Kurti. Forca të shumëta policie ndërkohë janë vendosur në sheshin kryesor të kryeqytetit dhe pranë godinës së Kuvendit.
PDK dhe AAK nuk i kanë votat e nevojshme për të thirrur vetë seancën e Kuvendit ku do të mund të votohej përfundimisht Ligji për Dhomat e Specializuara.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se dy partitë kanë së bashku vetëm 30 nënshkrime, ndërsa për thirrjen e seancës nevojiten 40.
"Fatkeqësisht, PDK dhe Aleanca bashkë nuk i kanë 40 nënshkrime për ta thirrur seancën dhe për t'i detyruar deputetët të vijnë. Ne i kemi veç 30 nënshkrime", tha Tahir

Foto: Bedri Hamza
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, para mbledhjes së Kryesisë, ka deklaruar se kërkesa e tyre është thirrja e seancës dhe votimi në lexim të dytë i ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ai ka thënë se nuk ka pasur komunikim me Vetëvendosjen, teksa Kosova ka hyrë në ditën e fundit për zgjedhjen e presidentit ose vendi shkon në zgjedhje të reja. PDK-ja ka kërkuar që me urgjencë të miratohen ndryshimet në ligjin për Specialen. Ka thënë se VV-ja me mosmbështetje për lexim të dytë me urgjencë të këtij ligji, po “kontribuon në destabilizim”.
“Jo, nuk kemi pasur komunikim. Kërkesa jonë është e qartë: të thirret seanca, ligji të votohet në lexim të dytë. Nuk ka asnjë vështirësi, asnjë pengesë. Nëse ka pasur çfarëdo pengese apo çfarëdo dileme, pse ka kaluar në lexim të parë? Po bëjka të kalojnë të gjitha procedurat, dhe sot në fazën finale nuk po kalojka. Janë çështje të ndara. Kemi thënë vazhdimisht se ligji duhet të aprovohet. Nuk i takon një partie. S’është ligji për PDK-në. UCK-ja ka ekzistuar para se të ekzistojë PDK-ja e partitë tjera”, ka thënë ai para mbledhjes së Kryesisë së Partisë.
Hamza i ka bërë ftesë kryeministrit Albin Kurtit, Kuvendit dhe kryeparlamentares Albulena Haxhiu të thërrasin seancë për Ligjin. Sipas tij, kjo çështje nuk lidhet me atë të presidentit.
“Normalisht janë çështje të ndara. Ka koincidu. Vendi ka mundur të ketë presidentin. Prapë do të kërkonim ligjin. Kërkesa jonë është kjo. Nuk ka pengesa tjetër, përveç mungesës së vullnetit të partisë shumicë në pushtet. Do ta kuptoja sikur të thonin është problematike e nuk mundem dhe nuk bën, derisa ka kaluar në lexim të parë. Por tash është mungesë e vullnetit politik dhe është një kontribut për destabilizimin e vendit dhe çështje që s’po duan ta kryejnë. Presidenti është çështje e ndarë. Le të kryhet ligji, atëherë janë në radhë edhe presidenti e të tjera”, ka shtuar Hamza.
Sipas tij, partia e Kurtit është përgjegjëse për situatën në vend.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje këtë mëngjes kryeministrit Albin Kurti që të rikthehet në Kuvend dhe të votojë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa në orën 12:00 është paralajmëruar një tjetër protestë para Kuvendit.
"Albin, eja në Kuvend. Eja dhe ta votojmë ligjin. Mos nxit. Mos provoko", shkroi Çitaku në Facebook.
Ajo akuzoi gjithashtu Kurtin për ndërhyrjen e Policisë gjatë përplasjeve të djeshme me protestuesit.
"Mos e urdhëro Policinë të ushtrojë dhunë ndaj vajzave e djemve që sot janë në sheshe duke kërkuar drejtësi për një vepër që na dha lirinë", shkroi Çitaku.
Kryesia e PDK-së do të mblidhet sot në orën 10:00, në ditën kur skadon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës dhe kur ende mbetet pezull votimi përfundimtar i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Mbledhja vjen pas dështimit të takimit të djeshëm mes kreut të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit Albin Kurti për të gjetur një marrëveshje për dy çështjet. PDK kërkon që fillimisht të votohet përfundimisht pr.ligji për ndryshimet për Specialen dhe më pas presidenti, ndërsa Vetëvendosje ka kërkuar rendin e kundërt.
Vetëm dy orë pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, në 12:00, është thirrur një tjetër protestë para Kuvendit për të kërkuar miratimin përfundimtar të ndryshimeve për Specialen.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon në mesnatë. Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë kreun e shtetit, Kosova shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Teksa sot skadon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës dhe mbetet pezull votimi përfundimtar i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, situata këtë mëngjes në Prishtinë paraqitet e qetë. Megjithatë, mediat raportojnë për prezencë të shtuar të forcave të policisë në rrugët e kryeqytetit. Deri tani nuk është paralajmëruar asnjë seancë e Kuvendit dhe as mbledhje e komisioneve parlamentare.
Ndërkohë, protesta para Kuvendit është thirrur për në orën 12:00, me kërkesën që deputetët të miratojnë përfundimisht ndryshimet për Specialen. Nga radhët e Vetëvendosjes, kreu i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, bëri thirrje këtë mëngjes që sot të votohen të dyja çështjet.
"E votojmë presidentin dhe e votojmë projektligjin për Specialen", shkroi ai, duke paralajmëruar se dështimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do të çonte në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme.









Komente
Komento