
Dymbëdhjetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas protestës, prej tyre 11 civilë dhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës, ka bërë të ditur drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla.
Ai ka bërë të ditur se shumica kanë pasur shqetësime nga gazi lotsjellës. Sipas tij, dy persona kanë pësuar lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit.
“Janë të lënduar 12 persona, prej tyre një polic dhe 11 civilë. Shumica prej tyre janë ankuar për pasojat e gazit lotsjellës. Dy prej tyre kanë pasur lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit”, tha Syla për media.
Sipas tij të gjithë janë trajtuar në Qendrën Emergjente dhe më pas janë larguar për në shtëpi. Syla ka theksuar se nuk është evidentuar asnjë rast me lëndime të rënda.
“Nuk pati lëndime të rënda. Kryesisht janë lëndime të lehta. Lëndimet për shkak të gazit lotsjellës kanë qenë dominuese. Janë trajtuar tek ne dhe në Klinikën e Oftalmologjisë dhe pastaj janë lëshuar në shtëpi”, u shpreh ai.
Sipas Sylës, personat që kanë kërkuar trajtim mjekësor kanë qenë të moshave të ndryshme, nga adoleshentët deri te personat rreth 40-vjeçarë. (A2 Televizion)