Moment i sikletshëm për bashkëshorten e Vance/ Pengohet teksa zbriste nga helikopteri me foshnjën, shihni reagimin e ushtarëve Caleb Flynn, 40 vjeç, ish-konkurrent i “American Idol”, është dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht për vrasjen e gruas së tij, Ashley Flynn, 37 vjeçe.
Rasti ka ngjashmëri me vrasjen e Caroline Crouch në Glyka Nera, pasi edhe Flynn u përpoq ta paraqiste krimin si një sulm nga një person i panjohur që kishte hyrë me forcë në banesë. Megjithatë, versioni i tij u rrëzua nga provat dixhitale, mesazhet me të dashurën dhe gjetjet e tjera të hetimit.
Flynn u shpall fajtor më pak se një javë para dhënies së dënimit, pas një shqyrtimi të shkurtër nga juria. Gjykata hodhi poshtë pretendimin e tij se një person i panjohur kishte hyrë në shtëpinë e familjes në Tipp City, Ohio, dhe kishte qëlluar Ashley-n ndërsa ajo flinte.
Përveç vrasjes, ai u shpall fajtor edhe për tetë akuza të tjera, përfshirë vrasje të rënduar dhe manipulim të provave.
Gjyqtarja Jeanine Pratt e cilësoi Flynn si një rrezik “ekstrem” për sigurinë publike dhe e dënoi me dënimin maksimal, burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht. Ai mori gjithashtu nëntë vite burg për manipulim provash dhe shtatë vite për veprën penale të armëve të zjarrit të rënduara, dënime që do të vuhet në mënyrë të njëpasnjëshme.
Momenti më emocional në seancën e dënimit erdhi kur u lexuan letrat e dy vajzave të çiftit, 10 dhe 12 vjeçe.
Ava, 10 vjeç, e përshkroi nënën e saj si një “person të përsosur” dhe “engjëll”, ndërsa i drejtoi babait pyetjen: “Çfarë ka bërë ajo ndonjëherë që e urreve kaq shumë?”. Vajza e madhe, Alyssa, 12 vjeçe, e pyeti nëse ai kishte menduar ndonjëherë për dhimbjen që do t’u shkaktonte vajzave të tij.
Ajo i kërkoi gjithashtu të pranonte publikisht atë që kishte bërë dhe pasojat e veprimeve të tij, duke i bërë të ditur se nuk do ta vizitonte në burg. Vajzat tashmë po rriten nga xhaxhai i tyre, vëllai i Ashley-t, dhe bashkëshortja e tij.
Lidhja me 24-vjeçaren dhe rreth 100 mijë mesazhe
Një nga elementet kryesore të çështjes ishte marrëdhënia e Flynn me 24-vjeçaren Aleiga Botner, për të cilën prokurorët thanë se kishte zgjatur gati dy vjet.
Flynn dhe Botner kishin shkëmbyer rreth 100 mijë mesazhe.
Në një prej tyre, ai shkruante se kishte qëndruar zgjuar deri në orën 4 të mëngjesit, duke qarë dhe duke menduar mënyra për ta vrarë gruan e tij pa përfunduar në burg.
Në një tjetër mesazh, ai shkruante se donte vetëm “që ajo të ishte e vdekur dhe të zhdukej”.
Prokurorët argumentuan se lidhja jashtëmartesore ishte ndër elementet që lidhej me motivin e krimit.
Si u inskenua vrasja
Sipas versionit të pranuar nga gjykata, Flynn vrau Ashley-n në shkurt, duke e qëlluar me armë brenda shtëpisë së tyre.
Më pas, ai u përpoq të inskenonte skenën në mënyrë që të dukej sikur një grabitës kishte hyrë me forcë në banesë përmes garazhit.
Flynn pretendoi se ishte në gjumë kur dëgjoi të shtënat dhe se më pas kishte gjetur derën e garazhit të hapur dhe gruan e tij të vrarë në shtrat. Dy vajzat e çiftit ndodheshin gjithashtu në shtëpi dhe ishin në gjumë në momentin e vrasjes.
Prokuroria paraqiti në gjykatë pamje nga kamerat e trupit të policisë, si dhe të dhëna nga iPhone dhe Apple Watch i Flynn në orët përreth vrasjes.
Këto prova u përdorën kundër pretendimit të tij se kishte qenë në gjumë kur Ashley u qëllua.
Një tjetër element i rëndësishëm ishte arma e tij e zjarrit. Ajo mbahej zakonisht në konsolën qendrore të kamionit të Flynn, por nuk u gjet. Kur mbërritën oficerët, konsola u gjet e hapur.
Gjatë gjyqit, prokuroria thirri dhjetëra dëshmitarë, mes tyre edhe Botner. Flynn nuk dëshmoi, ndërsa mbrojtja nuk thirri asnjë dëshmitar.
Avokati i tij, Patrick Mulligan, ka njoftuar se do të apelojë vendimin, duke argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar paramendimin dhe se pabesia nuk përbën provë për vrasje.
“American Idol” dhe jeta e dyfishtë
Caleb Flynn pati një paraqitje të shkurtër në “American Idol” në vitin 2013. Në atë kohë, ai u tha kamerave se e donte gruan e tij “më shumë se çdo gjë”.
Gjatë seancës së dënimit, Flynn këmbënguli se nuk e kishte vrarë Ashley-n. Ai shprehu dashurinë për familjen dhe e përshkroi bashkëshorten si “të bukur dhe të mrekullueshme në mënyra të panumërta”.
Ai kërkoi falje për disa nga “vendimet” e tij dhe pranoi në mënyrë të tërthortë pabesinë, por vazhdoi të mohojë vrasjen.
Familja e Ashley-t e përshkroi atë si një nënë të përkushtuar, edukatore të dashur dhe grua thellësisht fetare.
“Mbi të gjitha, ajo e donte të ishte nënë”, thanë familjarët e saj.
Top Channel