Në spitalet rajonale pritet të ngrihen bordet e tumoreve, me qëllim që pacientët të marrin vlerësimin e nevojshëm më pranë vendbanimit pa qenë e nevojshme që ata të udhëtojnë drejt Tiranës. Nga Spitali Onkologjik në QSUT, ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, tha se bordet do të ngrihen aty ku ka mjekë specialistë.

“Po punojmë që, aty ku kemi kirurgë, onkologë dhe kapacitetet e nevojshme, të krijojmë bordet e tumorëve në spitalet rajonale, në mënyrë që pacientët, kur është e mundur, të mos jenë të detyruar të vijnë deri në QSUT”, tha Spahiu.

Spahiu njoftoi gjithashtu se po punohet për një udhëzues të ri, në konsultim me mjekët, për lehtësimin e procedurave dhe përmirësimin e aksesit të pacientëve në shërbimet onkologjike.

Në kuadër të Tetorit Rozë, ministrja u ndal edhe te rëndësia e kontrolleve dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit.

“Kontrolli shpëton jetë. Një diagnostikim i hershëm ndihmon pacientin, familjen dhe krijon mundësi për ndërhyrje në kohën e duhur. Ndaj, ftoj çdo grua dhe vajzë ta shfrytëzojë këtë muaj për t’i kushtuar më shumë vëmendje shëndetit të saj”, vijoi Spahiu.