Moska u vu në shënjestër të një prej sulmeve më të mëdha me dronë të muajve të fundit, me rreth 650 mjete fluturuese pa pilot që hynë në rajonin e kryeqytetit rus gjatë natës.

Kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, tha se shumica e dronëve u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes kundërajrore, ndërsa 105 prej tyre u interceptuan teksa po i afroheshin kryeqytetit.

Sulmi shkaktoi viktima në rajonin e Moskës. Guvernatori Andrey Vorobyov konfirmoi se dy persona humbën jetën dhe nëntë të tjerë u plagosën.

Një prej viktimave ishte një burrë 71-vjeçar, trupi i të cilit u gjet nën rrënojat e një shtëpie private në Barybino, në komunën e Domodedovos. Një grua që ndodhej brenda banesës u plagos.

Viktima e dytë ishte një 20-vjeçar, i cili humbi jetën në fshatin Radumlya, në komunën e Solnechnogorskut.

Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, bëhet fjalë për sulmin e dytë më të madh të regjistruar ndaj Moskës në muajt e fundit, në një periudhë kur janë intensifikuar sulmet e ndërsjella mes Rusisë dhe Ukrainës.

Dronët ukrainas raportohet se hynë në rajonin e Moskës nga drejtime të ndryshme dhe në disa valë. Kanalet e monitorimit raportuan gjithashtu se një objektiv ishte një strukturë e madhe nafte në rajonin e Moskës.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase raportuan një tjetër sulm rus në Zaporizhia. Sipas kreut në detyrë të administratës lokale, Mykhailo Semikin, forcat ruse goditën një urë mbi lumin Dniepër, duke bllokuar trafikun dhe duke plagosur pesë persona, mes tyre edhe dy punonjës të Kryqit të Kuq që po shkonin në punë.

Sulmet e fundit vijnë në një moment të përshkallëzimit të konfliktit, ndërsa Moska ka paralajmëruar se do të intensifikojë goditjet ndaj infrastrukturës ukrainase, në përgjigje të premtimit të presidentit Volodymyr Zelensky për të shtuar sulmet e Kievit ndaj rafinerive ruse.

Top Channel