Këtë të martë në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania” do të luhet ndeshja Shqipëri-San Marino në kuadër të Ligës së Kombeve. Për mbarëvajtjen e ndeshjes Policia e Shtetit ka hartuar plan masash.
Përmes një njoftimi zyrtar blutë bëjnë me dije se në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, duke filluar nga ora 17:00 do të vendosë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Po ashtu në zbatim të këtyre masave, Policia njofton se do të ushtrojë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
"Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjet e stadiumit, duke filluar nga ora 18:30, pasi, për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’u ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit", thuhet në njoftim.










Komente
Komento