
Ish-futbollisti i Francës, Christophe Dugarry, ka kritikuar ashpër Cristiano Ronaldon, duke pretenduar se egoja e yllit portugez po dëmton reputacionin e tij. Fituesi i Kupës së Botës 1998 ka shprehur zhgënjimin e tij për situatën e krijuar rreth yllit të Al Nassr dhe Kombëtares së Portugalisë.
Situata rreth të ardhmes së Ronaldos me Portugalinë ka shkaktuar shumë diskutime, ndërsa ish-sulmuesi francez Dugarry ka dalë me kritika të forta ndaj pesë herë fituesit të “Topit të Artë”.
Duke folur në emisionin francez “Rothen s'enflamme”, ai komentoi largimin e fundit të Ronaldos nga grumbullimi i Portugalisë pas përplasjeve me përzgjedhësin Jorge Jesus.
“Jam lodhur nga kjo. Është e tmerrshme të kesh kaq pak respekt për bashkëkombësit dhe kombin tënd”, deklaroi Dugarry gjatë paraqitjes së tij në RMC Sport.
Ish-sulmuesi i Milanit dhe Barcelonës tha se sjellja e fundit e Ronaldos është shumë larg imazhit profesional dhe të orientuar drejt ekipit që portugezi kishte ndërtuar gjatë dy dekadave.
“Është e tmerrshme, sepse nuk është imazhi që ai përcillte më parë. Ai përcillte imazhin e një personi të shëndetshëm, një lojtar skuadre, dikujt të madh dhe bujar. Tani kam përshtypjen se ka ndryshuar dhe se egoja e tij po e shkatërron nga brenda gjatë këtyre muajve të fundit. Ndërkohë që mund të ishte larguar nga skena përmes derës së madhe, tani gjithçka ka marrë fund, gjithçka është prishur. Si dëshironi që ai të rikthehet? Për të bërë çfarë?”, shtoi francezi. Versus.al

