Kosova ka afat deri më 6 tetor për ta zgjedhur presidentin e ri. Nëse Kuvendi dështon ta bëjë këtë, çka pason është e qartë: Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por, shumë më pak e qartë është se kush do t’i ushtronte kompetencat e presidentit pas kësaj?
Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e fundit për rastet KO256/26 dhe KO258/26, ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me nenin 82 të Kushtetutës, sipas të cilit Kuvendi shpërndahet nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditësh nga fillimi i procedurës së zgjedhjes.
Pra, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, nuk nevojitet një vendim i veçantë i Kuvendit për shpërndarjen e tij – thjesht aktivizohet dispozita kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit.
Gjykata e kishte sqaruar këtë parim edhe më herët. Në aktgjykimin e marsit 2026, ajo kishte konstatuar se dështimi për ta zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues çon në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.













