Luan Gacaferi, anëtar i Guxo-s, i ka kërkuar LDK-së të votojë për zgjedhjen e Presidentit, duke e vlerësuar këtë hap si të rëndësishëm për stabilitetin e Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas tij, një vendim i tillë do t’i mundësonte LDK-së të rikthente besimin e qytetarëve dhe të fitonte mbështetje në zgjedhjet e ardhshme. Në të kundërtën, Gacaferi ka paralajmëruar pasoja serioze për të ardhmen politike të kësaj partie.
Gacaferi ka thënë se LDK-ja ndodhet përpara një mundësie të artë dhe, njëkohësisht, përballë shansit të fundit për ta ndihmuar Kosovën dhe për të shpëtuar veten.
Ai ka vlerësuar se zgjedhja e një presidenti do ta orientonte vendin drejt një periudhe më të sigurt e më të qetë, ndërsa LDK-së do t’i sillte simpati te qytetarët. Sipas tij, kjo mbështetje do të mund të përkthehej në vota në zgjedhjet e ardhshme dhe ta rikthente partinë në një pozitë me gjasa reale për t’u kthyer në pushtet në një të ardhme jo të largët.
Gacaferi ka paralajmëruar se, edhe nëse kjo mundësi nuk shfrytëzohet, Kosova do të vazhdojë të mbijetojë dhe të ecë përpara. Megjithatë, ai ka shprehur dyshime nëse LDK-ja do të mund të mbijetojë si parti, duke marrë parasysh rrethanat në të cilat ndodhet dhe ndikimin e PDK-së e të njerëzve të saj brenda dhe jashtë partisë.
