Teksa sot skadon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës dhe mbetet pezull votimi përfundimtar i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, situata këtë mëngjes në Prishtinë paraqitet e qetë. Megjithatë, mediat raportojnë për prezencë të shtuar të forcave të policisë në rrugët e kryeqytetit. Deri tani nuk është paralajmëruar asnjë seancë e Kuvendit dhe as mbledhje e komisioneve parlamentare.

Ndërkohë, protesta para Kuvendit është thirrur për në orën 12:00, me kërkesën që deputetët të miratojnë përfundimisht ndryshimet për Specialen. Nga radhët e Vetëvendosjes, kreu i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, bëri thirrje këtë mëngjes që sot të votohen të dyja çështjet.

"E votojmë presidentin dhe e votojmë projektligjin për Specialen", shkroi ai, duke paralajmëruar se dështimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do të çonte në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme.


Lajmi kryesor:

Afati për presidentin skadon sot, Kosova ende pa marrëveshje! PDK nuk tërhiqet nga Specialja, protesta vijon jashtë Kuvendit (VIDEO)