Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar ekzekutimin me pushkatim të Nidal Malik Hassan, ish-psikiatrit të Ushtrisë Amerikane të dënuar me vdekje për masakrën e vitit 2009 në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha se Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, kishte rekomanduar që Hassan të ekzekutohej nga një skuadër pushkatimi e Ushtrisë Amerikane dhe se Trump e kishte miratuar propozimin.
Data dhe vendi i ekzekutimit nuk janë bërë ende të ditura. Sipas procedurave ushtarake, ekzekutimi duhet të kryhet brenda 150 ditëve nga miratimi presidencial, por jo më herët se 60 ditë.
Nidal Malik Hassan hapi zjarr më 5 nëntor 2009 brenda bazës ushtarake Fort Hood në Teksas.
Sulmi la të vrarë 13 persona, 12 ushtarë dhe një civil, ndërsa 32 të tjerë mbetën të plagosur.
Hassan, i cili në atë kohë shërbente si psikiatër ushtarak, kishte shprehur kundërshtimin e tij ndaj luftërave amerikane në Afganistan dhe Irak, të cilat i konsideronte të paligjshme. Gjatë sulmit ai u plagos nga të shtënat dhe mbeti pjesërisht i paralizuar. Në vitin 2013, një gjykatë ushtarake e dënoi me vdekje.
Ekzekutimi i parë ushtarak që nga viti 1961
Nëse ekzekutimi realizohet, ai do të jetë i pari i kryer nga ushtria amerikane që nga viti 1961.
Atë vit, ushtari John Bennett u ekzekutua pasi ishte dënuar për përdhunimin dhe tentativën për vrasjen e një vajze 11-vjeçare në Austri.
Ushtria amerikane është përgatitur gjatë muajve të fundit për një rifillim të mundshëm të ekzekutimeve, duke hartuar procedurat që duhet të ndiqen pas miratimit presidencial.

