'Premtime prej vitesh, por asnjë ndërhyrje', banorët e Pogradecit protestojnë për rrugën drejt Kalasë

'Premtime prej vitesh, por asnjë ndërhyrje', banorët e Pogradecit protestojnë për rrugën drejt Kalasë

09:53, 06/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjendja e rënduar e rrugës ka nxjerrë në protestë banorët e zonës së Kalasë, në lagjen numër 4 të Pogradecit. Mbi 20 familje kërkojnë ndërhyrjen e Bashkisë për rehabilitimin e aksit që lidh rrugën kryesore me banesat e tyre.

Banorët thonë se prej vitesh përballen me një rrugë të amortizuar, e cila e bën të vështirë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Problematika bëhet edhe më e theksuar gjatë dimrit, ndërsa në disa pjesë të aksit është shfaqur edhe erozioni.

Për këtë situatë, banorët kanë depozituar më herët një peticion pranë Bashkisë së Pogradecit. Ata thonë se kanë marrë premtime për ndërhyrje, por deri më tani rruga vijon të mbetet në të njëjtën gjendje.

Aksi, rreth 1.5 kilometra i gjatë, është edhe rruga që të çon drejt Kalasë së Pogradecit. Banorët shprehen se infrastruktura e dëmtuar nuk krijon probleme vetëm për komunitetin, por pengon edhe zhvillimin e turizmit në këtë zonë historike.

Ata paralajmërojnë se përkeqësimi i erozionit mund të rrezikojë banesat dhe të bllokojë rrugën. Në mbështetje të banorëve ishte edhe anëtari i Këshillit Bashkiak, Arbër Male, i cili kërkoi ndërhyrje emergjente nga institucionet vendore.

Banorët kërkojnë që premtimet për investim të konkretizohen dhe aksi të rehabilitohet sa më shpejt, për të garantuar qarkullimin e sigurt të banorëve dhe vizitorëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco