Tjetër skuadër italiane shfaq interes për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Shkodrani është i angazhuar me kuqezinjtë aktualisht dhe ende nuk ka firmosur kontratë të re, pas largimit nga Lazio.
Këtë herë në skenë ka dalë Fiorentina, që po kërkon lojtarë të lirë për pozicionin e mbrojtësit të djathtë. Hysaj është njëri prej tyre, por klubi nga Firenze po ndjek njëkohësisht edhe situatën me Darmian.
Për Matteo Darmian duket punë e kryer firma me Bologna-n, por edhe Fiorentina është një hipotezë. Pak ditë më parë te Bologna u përmend edhe emri i Hysajt, por më pas fitoi kuota Darmian. Tani po i njëjti lojtar mund t’i prishë punë mbrojtësit kuqezi, që synon të luajë sërish në Serie A.
Më parë Hysaj është përmendur nga shtypi sportiv italian për një kalim të mundshëm te Lecce dhe Ascoli. Po ashtu, u fol edhe për një aktivizim të mundshëm të mbrojtësit në Abissnet Superiore, por vetë shkodrani e hodhi poshtë këtë hipotezë.
Lini një Përgjigje