Një zjarr ka përfshirë gjatë orëve të vona të natës disa mjete të rënda të një operatori privat, i cili ushtron aktivitet në brigjet e lumit Mat, në Kurbin. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv, në flakë janë përfshirë 4 kamionë dhe një eskavator.
Zjarrfikësit kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, por pavarësisht kësaj një pjesë e tyre janë shkrumbuar totalisht. Paraprakisht dyshohet zjarrvënie e qëllimshme. Uniformat blu përmes një njoftimi bëjnë me dije se i dëmtuar ka mbetur edhe roja. Sipas tyre 60 vjeçari ka marrë lëndime fizike në pjesën e fytyrës.
“Rreth orës 01:40, në Milot, në një subjekt për përpunimin e inerteve, në administrim të shtetasit K.B., janë djegur 4 kamionë dhe 1 eskavator. Gjithashtu, në spital është paraqitur roja i objektit, shtetasi M. M., 60 vjeç, me dëmtime fizike në pjesën e fytyrës.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore dhe procedurale, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi sot policia.
Administratori i subjektit ka deklaruar para grupit hetimor se nuk ka pasur konflikte apo kërcënime të mëparshme. Ndërkohë, po këqyren dhe analizohen pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Më herët, ky biznes ka qenë në pronësi të Pjetër Pacanit, i arrestuar në qershor të vitit 2024, pasi ishte dënuar nga gjykata me 25 vite burg për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2011 në Kurbin, ngjarje që, sipas hetimeve të asaj kohe, lidhej me një borxh prej 100 mijë eurosh.









Komente
Komento