Rasti i rrallë/ BBC: I dënuari me vdekje në SHBA do ekzekutohet nga një skuadër pushkatimi

Rasti i rrallë/ BBC: I dënuari me vdekje në SHBA do ekzekutohet nga një skuadër pushkatimi

10:16, 06/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Sareen Habeshian, BBC

Pentagoni ka njoftuar se do të ekzekutojë me pushkatim një ish-major të ushtrisë amerikane, në atë që do të jetë ekzekutimi i parë ushtarak i këtij lloji pas më shumë se 60 vitesh.

Nidal Malik Hasan qëlloi për vdekje 13 ushtarë amerikanë të paarmatosur në bazën Fort Hood në vitin 2009, ndërsa plagosi 32 të tjerë.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, njoftoi të hënën në rrjetet sociale se Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, kishte bërë rekomandimin dhe Presidenti Donald Trump e kishte miratuar atë.

Ky do të jetë ekzekutimi i parë ushtarak me pushkatim që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Parnell tha se sekretari i Ushtrisë do të përcaktojë kohën dhe vendin e ekzekutimit.

“Dita e gjykimit për Hasanin më në fund ka ardhur”, shkroi ai në X.

Hasan, një psikiatër i ushtrisë amerikane nga Virxhinia, vrau 13 ushtarë në bazën në Teksas në vitin 2009 dhe më vonë pranoi në gjykatë se ai ishte personi që kishte qëlluar, duke kërkuar falje për “çdo gabim”.

Gjatë gjyqit të tij ushtarak në vitin 2013, ai tha se besonte se po mbronte myslimanët dhe talebanët në Afganistan.

Vrasjet e 5 nëntorit 2009 ishin sulmi më vdekjeprurës i kryer ndonjëherë jashtë luftimeve në një bazë ushtarake amerikane.

Sulmi ndodhi në një ndërtesë mjekësore të mbushur me njerëz, ku ushtarët, që po përgatiteshin për t’u dislokuar, prisnin për kontrolle mjekësore dhe vaksina.

Hasan është aktualisht një nga katër të burgosurit që ndodhen në sektorin e të dënuarve me vdekje të ushtrisë amerikane.

Sipas ligjit ushtarak, një ekzekutim ushtarak kërkon miratimin e presidentit të SHBA-së.

Ai kërkon gjithashtu shqyrtim në apel dhe një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e tij që të mund të kryhet.

Gjykata e Apelit e SHBA-së për Forcat e Armatosura e shpalli dënimin me vdekje ushtarak antikushtetues në vitin 1983, por ai u rikthye një vit më vonë me një urdhër ekzekutiv të presidentit të atëhershëm Ronald Reagan.

Ekzekutimet ushtarake ndryshojnë nga ato që kryhen në nivel shtetëror.

Shumica e ekzekutimeve në SHBA kryhen në nivel shtetëror, ndërsa 27 shtete, ushtria dhe qeveria federale ende e kanë dënimin me vdekje si një mundësi të parashikuar ligjërisht.

Vdekja me pushkatim është mjaft e pazakontë. Vitin e kaluar u krye një ekzekutim me pushkatim në Karolinën e Jugut, i pari për këtë shtet dhe hera e parë që kjo metodë përdorej në SHBA pas 15 vitesh.

Katër shtete të tjera lejojnë përdorimin e pushkatimit, përfshirë Idahon, Misisipin, Oklahomën dhe Jutahun.

Sa gjerësisht përdoret dënimi me vdekje në SHBA?

Trump ka qenë mbështetës i dënimit federal me vdekje dhe e riktheu atë përmes një urdhri ekzekutiv në ditën e parë të administratës së tij, në janar 2025.

Nën paraardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden, Departamenti i Drejtësisë kishte vendosur një moratorium për përdorimin federal të dënimit me vdekje.

Urdhri ekzekutiv i nënshkruar nga Trump e përshkruan dënimin me vdekje si “një mjet thelbësor për të frenuar dhe ndëshkuar ata që do të kryenin krimet më të urryera dhe aktet e dhunës vdekjeprurëse kundër qytetarëve amerikanë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco