
— Nga 7 deri më 9 tetor, Tirana bëhet për tri ditë një pikë takimi për letërsinë shqiptare, ballkanike dhe europiane. Edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë për të Rinj “Tirana Gate 2026”, organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit vjen këtë vit me një temë që i jep festivalit një dimension të veçantë: “Kur flet heshtja – Letërsia që tejkalon kufijtë, sfidon narrativat dhe rikthen zërat e përjashtuar.” Jo vetëm një moto, por një pyetje që përshkon pjesën më të madhe të programit: çfarë ndodh me historitë që nuk janë treguar, me njerëzit që nuk kanë pasur zë dhe me kujtesën që rrezikon të humbasë? Në këtë kuptim, letërsia shfaqet jo vetëm si art i fjalës, por edhe si një mënyrë për të dëgjuar atë që për shumë arsye ka mbetur në heshtje. Përgjatë tri ditëve, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe studiues nga Shqipëria, rajoni dhe Europa do të diskutojnë mbi kujtesën, trupin, traumën, identitetin, diasporën, përfaqësimin dhe raportin e brezit të ri me librin.
Aktivitetet do të zhvillohen për tre ditë në Vila 31 x Art Explora, ndërsa programi do të shtrihet edhe në hapësira të tjera kulturore të Tiranës, përfshirë takime dhe promovime pranë Bibliotekës Kombëtare. Kur heshtja bëhet histori Tema e këtij edicioni lidhet drejtpërdrejt me një prej funksioneve më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore: rikthimin në vëmendje të historive të lëna në skaj. Heshtja, në këtë rast, nuk nënkupton mungesën e fjalës. Përkundrazi, ajo është një hapësirë ku mund të gjenden kujtime, trauma, përvoja dhe identitete që ende kërkojnë të marrin formë përmes gjuhës. Kjo ide do të shfaqet në disa prej temave qendrore të festivalit. “Trupi dhe kujtesa” do të ndalet te përvoja e trupit të gruas si një hapësirë rrëfimi, ndërsa “Arkivi i të harruarve” ngre pyetjen se si bibliotekat, arkivat dhe letërsia mund të ruajnë zërat e margjinalizuar. Një tjetër temë, “Trauma ndërbreznore”, e zhvendos vëmendjen te historitë familjare që kalojnë nga një brez te tjetri dhe që shpesh mbeten të pathëna derisa dikush vendos t'i shkruajë. Në këtë mozaik hyn edhe çështja e diasporës dhe përfaqësimit, e autorëve që shkruajnë për një vend prej largësisë dhe e mënyrës se si ndryshon marrëdhënia me atdheun kur ai bëhet kujtim, gjuhë apo imagjinatë. Ndërsa paneli “Letërsia pa kufizime” sjell në qendër përfshirjen dhe fuqinë e imagjinatës për të kapërcyer kufijtë fizikë e socialë. Një vend të rëndësishëm zë edhe marrëdhënia e brezit të ri me librin. Në panelin kushtuar rinisë dhe leximit, anëtarë të Klubit Kombëtar Rinor të Leximit dhe Parlamentit të Nxënësve do të diskutojnë mbi sfidat e leximit në një kohë kur vëmendja e të rinjve është gjithnjë e më shumë e lidhur me botën digjitale.
Drejtorja e Festivalit, Irena Toçi, e përmbledh këtë qasje duke e parë heshtjen si një hapësirë ku mund të fshihen histori ende të patreguara: një kujtim, një përvojë ose një zë që ka mbetur jashtë rrëfimit. Në këtë kuptim, “Tirana Gate” synon të jetë pikërisht një portë përmes së cilës këta zëra mund të hyjnë në dialog me publikun. Një hartë letrare që lidh Tiranën me Europën Një nga veçoritë e këtij edicioni është prania e një grupi të rëndësishëm autorësh ndërkombëtarë, që e bëjnë festivalin një hapësirë të vërtetë shkëmbimi mes letërsive të ndryshme. Një prej emrave më të spikatur është shkrimtarja gjermane Martina Hefter, fituese e Çmimit Gjerman të Librit 2024, një nga vlerësimet më të rëndësishme letrare në hapësirën gjermanofone. Prania e saj i jep festivalit një lidhje të drejtpërdrejtë me një prej skenave më të rëndësishme të letërsisë europiane dhe me debatet bashkëkohore mbi marrëdhëniet njerëzore, vetminë dhe mënyrat e reja të rrëfimit. Nga Spanja vjen shkrimtari Alfredo Villaverde Gil, ndërsa letërsia greke përfaqësohet nga një prej zërave të saj më të njohur bashkëkohorë, Ersi Sotiropoulos. Prania e saj në “Tirana Gate” sjell në festival një përvojë letrare të lidhur fort me transformimet e shoqërisë greke dhe me një letërsi që lëviz mes personales, sociales dhe politike. Një tjetër emër i rëndësishëm është Emilios Solomou, nga Qiproja, autor i njohur për veprat e tij që eksplorojnë kujtesën, historinë dhe identitetin në një hapësirë ku përkatësia dhe ndarja janë pjesë e pandashme e përvojës njerëzore. Në kontekstin e temës së këtij edicioni, prania e tij merr një domethënie të veçantë: historia, kujtesa dhe ajo që mbetet e pathënë janë edhe këtu pjesë e pandashme e rrëfimit. Nga Italia vjen Antonio Caiazza, ndërsa Salim Nizam përfaqëson letërsinë turke dhe Raluca Nagy atë rumune. Përmes tyre, “Tirana Gate” zgjeron hartën e vet letrare përtej kufijve të afërt ballkanikë dhe krijon një dialog mes traditave, gjuhëve dhe përvojave të ndryshme europiane.
Në festival marrin pjesë gjithashtu shkrimtarë nga rajoni, mes tyre Damir Karakaš nga Kroacia, Rumena Bužarovska dhe Ivana Trajanoska nga Maqedonia e Veriut, Arbër Selmani nga Kosova dhe Ismet Kallaba nga Mali i Zi. Prania e këtyre autorëve krijon mundësinë që letërsia shqipe të vendoset përballë përvojave të tjera dhe që temat e festivalit të lexohen në një hapësirë më të gjerë europiane. Kujtesa, trauma, diaspora, trupi, përjashtimi dhe identiteti nuk janë çështje të një vendi të vetëm. Ato janë përvoja që marrin forma të ndryshme në vende të ndryshme, por që shpesh komunikojnë me njëra-tjetrën përmes letërsisë. Nga letërsia shqiptare te dialogu europian Krahas të ftuarve ndërkombëtarë, programi mbledh në Tiranë një numër të rëndësishëm autorësh shqiptarë dhe të rajonit, mes tyre Rita Petro, Flutura Açka, Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Namik Dokle, Liridon Mulaj, Ben Andoni, Eris Rusi, Anna Kove, Arta Marku, Maklena Nika, Dritan Sulçebe dhe Majlinda Rama. Kështu, “Tirana Gate” synon një përballje mes autorëve dhe lexuesve, mes gjuhëve dhe përvojave. Në qendër mbetet ideja se letërsia mund të krijojë një hapësirë komunikimi pikërisht atje ku historia, politika, gjuha apo kufijtë kanë krijuar ndarje. Kjo është edhe arsyeja pse tema “Kur flet heshtja” funksionon si një bosht i përbashkët i edicionit.
Ajo nuk i referohet vetëm heshtjes së individit, por edhe heshtjeve kolektive: historive të harruara, grave pa emër në arkiva, traumave familjare, komuniteteve të margjinalizuara, emigrimit dhe përvojës së të qenit “tjetri”. Libri si takim Programi do të plotësohet me punëtori të shkrimit kreativ dhe aktivitete të drejtpërdrejta me publikun. Shkrimtarja Ivana Trajanoska do të zhvillojë ëorkshop-in “Nga ideja në roman”, ndërsa Merita Isufi do të drejtojë punëtorinë “Hap librin, hap botën”, kushtuar leximit familjar. Një pjesë e rëndësishme do t'u kushtohet edhe librave dhe autorëve të huaj përmes promovimeve dhe seancave të autografeve me Raluca Nagy, Rumena Bužarovska, Damir Karakaš, Ersi Sotiropoulos, Antonio Caiazza dhe Emilios Solomou. Në këtë mënyrë, festivali përpiqet të ruajë atë që ndoshta është funksioni më i thjeshtë dhe njëkohësisht më i rëndësishëm i një takimi letrar: të vendosë librin mes njerëzve. Jo vetëm si objekt leximi, por si mundësi për të dëgjuar një histori tjetër, për të njohur një përvojë të panjohur dhe për të parë botën nga një këndvështrim që deri atëherë mund të ketë qenë i heshtur. Në edicionin e tij të 12-të, “Tirana Gate” e vendos këtë ide në qendër të programit. Sepse ndonjëherë letërsia nuk fillon aty ku dikush flet, por aty ku më në fund dikush vendos të dëgjojë. A.K./TemA
Lini një Përgjigje