Bota Botë e Çuditshme

Gjen diamant 6 karatësh teksa kërkonte gurë të çmuar në park, zbulimi i rrallë mund të vlejë…

Një gjuetar gurësh të çmuar në Arkansas ka bërë një zbulim të rrallë teksa kërkonte diamante në një park shtetëror, duke gjetur një gur të verdhë prej 6.03 karatësh. Jack Pearadin po transmetonte drejtpërdrejt kërkimin e tij në Parkun Shtetëror të Kraterit të Diamanteve në muajin janar, kur vuri re diçka që shkëlqente mes zhavorrit. Pas verifikimeve, zyrtarët e parkut konfirmuan se bëhej fjalë për një diamant të verdhë që peshonte pak më shumë se 6 karatë.

Ndihmësdrejtori i parkut, Waymon Cox, e cilësoi gurin si “mbresëlënës”, duke theksuar formën e tij të rrumbullakosur dhe sipërfaqen shumë simetrike. Sipas tij, diamanti duket se ka 48 faqe, një karakteristikë relativisht e rrallë, pasi shumica e diamanteve të zbuluara në këtë park kanë 12 ose 24 faqe. Parku Shtetëror i Kraterit të Diamanteve është një nga vendet e rralla në botë ku vizitorët mund të kërkojnë vetë diamante dhe, nëse gjejnë një të tillë, ta mbajnë atë. Zona e kërkimit shtrihet në rreth 37 hektarë tokë të lëruar, e cila ndodhet mbi një krater të lashtë vullkanik.

Që prej vitit 1972, kur zona u shpall park shtetëror, vizitorët kanë zbuluar më shumë se 37 mijë gurë të çmuar. Diamanti më i madh në SHBA u gjet në të njëjtin park. Parku ka një histori të veçantë sa i përket zbulimeve të diamanteve. Pikërisht aty u gjet edhe “Uncle Sam”, diamanti më i madh i zbuluar ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara, me peshë 40.23 karatë. Sot, guri është pjesë e koleksionit të Muzeut Kombëtar të Historisë Natyrore Smithsonian.

Ndërkohë, Pearadin e ka pagëzuar zbulimin e tij me emrin “Ëndrra Amerikane”. Ai tha se emri është frymëzuar nga kënga “Sh-Boom (Life Could Be a Dream)” e grupit The Chords, por edhe nga fakti se zbulimi përkon me 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara. Gjuetari planifikon ta shesë diamantin online dhe të ndajë të ardhurat me një tjetër kërkues gurësh të çmuar, Michael Schumacher, nga Wisconsin.

Sa i përket vlerës, Pearadin pretendon se disa koleksionistë i kanë thënë se guri mund të vlejë më shumë se 1 milion dollarë. Megjithatë, vlerësues të gurëve të çmuar të kontaktuar nga Associated Press kanë dhënë një vlerësim më të përmbajtur, rreth 250 mijë dollarë. Pavarësisht vlerës së mundshme, Pearadin thotë se paratë nuk kanë qenë asnjëherë arsyeja që e ka shtyrë të merret me kërkimin e gurëve të çmuar. “Nuk kam kërkuar kurrë diçka të tillë. Thjesht po e shijoj përvojën. Nuk e prisja kurrë ta gjeja këtë diamant”, tha ai.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.