Të gjithë lavazhet në vend kanë afat deri më 31 tetori për ndërprerë përdorimin e ujit të pijshëm në aktivitetin e tyre. Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime thotë se është i ndaluar përdorimi i ujit të pijshëm për këtë aktivitet, ndaj ju bën thirrje këtyre subjekteve që të sigurojnë një burim alternativ furnizimi.
“Kodi i përdorimit të ujit e përcakton qartë dhe kufizon që ky aktivitet të mund të përdorë ujë të pijshëm për të zhvilluar biznesin e tij. Lavazhet janë ndër aktivitetet me impaktin më të madh negativ në rrjetin e ujësjellësit dhe për këtë arsye rekomandohet që ky lloj biznesi të gjejë metoda të tjera alternative të ligjshme për furnizimin me ujë dhe data 31 tetor është afati i fundit që të gjitha lavazhet mund të kenë mundësinë të reflektojnë dhe të vetë korrigjohen përsa i përket furnizimit me ujë nga rrjeti publik dhe të marrin masa për ta rregulluar këtë gjë”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i AKUK, Fludian Çuka.
Drejtori i AKUK Fludian Çuka thekson se për lidhjet e paligjshme nuk do të ketë tolerim.
“Pas kësaj date, kush është në rregull me ligjin do vazhdojë të punojë, kush nuk është në rregull do ketë pasoja. Ne pas datës 31 tetor do dalim në terren dhe do marrim masat e nevojshme administrative për të eliminuar këtë fenomen dhe për të ndërgjegjësuar këtë tipologji biznesi përsa i përket ketë lidhje të paligjshme”, tha Çuka.
Ndërhyrjet e paligjshme rrisin humbjet thotë AKUK dhe mund të ndikojnë në presionin dhe funksionimin normal të rrjetit dhe cenojnë furnizimin e qytetarëve. Kontrollet do të zhvillohen në të gjithë vendin dhe për çdo subjekt të identifikuar në shkelje do të ketë masa ndëshkuese, teksa theksohet se lidhjet e paligjshme konsiderohen vepra penale.










Komente
Komento