
Vlorë- Prej ditësh banesat dhe bizneset në zonën e Orikumit dhe Dukatit kanë rënë pre e grabitjeve ku autorët e maskuar veprojnë gjatë orëve të natës. Një prej rasteve më të rënda u shënua më 16 shtator në Dukat kur persona të paidentifikuar hynë brenda një banese ku jetonin disa persona, dhe u morën sende me vlerë dhe një makinë.
Po ashtu më 1 tetor në Orikum, autorët vodhën një dyqan cigaresh. Banorët flasin edhe për raste të tjera vjedhjesh më të vogla në Dukat. Sipas tyre, prej 10 ditësh një grup personash të maskuar po lëvizin në zonë dhe vijojnë vjedhjet në banesa e biznese.
“Jemi të terrorizuar. I kemi denoncuar rastet në polici, por vjedhjet vazhdojnë”, shprehen banorët duke shtuar se hajdutët përfitojnë edhe nga fakti që ka ndërprerje të energjisë elektrike dhe hynë pa u vënë re gjatë errësirës.
Nga vjedhjet, banorët thonë se nuk kursehet asgjë, elektroshtëpiake, ushqime, vegla pune, para, bagëti, por edhe automjete. Versus.al

