Ferdinand mbron Ronaldon: Jesus duhet t’i kërkojë falje, ose do të shkarkohet!

Polemikat rreth Cristiano Ronaldos dhe trajnerit të Portugalisë, Jorge Jesus, vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes në futbollin ndërkombëtar. Në këtë debat ka ndërhyrë edhe Rio Ferdinand, ish-shoku i skuadrës së Ronaldos te Manchester United, i cili beson se trajneri duhet të bëjë një hap pas për të zgjidhur situatën.

Ferdinand u shpreh se Jorge Jesus duhet të dalë publikisht dhe të pranojë se mund ta ketë menaxhuar gabim situatën me yllin portugez.

“Trajneri duhet të vijë dhe të kërkojë falje. Në të kundërt, përfundimisht mund të shkarkohet. Duhet të dalë dhe të thotë: ‘Dëgjoni, e kam vlerësuar gabim këtë situatë’”, deklaroi Ferdinand.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ish-mbrojtësi anglez kritikoi gjithashtu mënyrën se si është menaxhuar komunikimi, duke theksuar se një pjesë e konfliktit mund të ishte shmangur përmes dialogut më të mirë mes trajnerit dhe lojtarit.

Swiss Digital Mobile Reklama

“E gjithë kjo mund të ishte shmangur me një komunikim të mirë. Të njëjtën gjë e kam thënë edhe gjatë Botërorit me Roberto Martínez dhe mendoj të njëjtën gjë edhe për këtë trajner. Duhet të ulen me Cristiano Ronaldon dhe t’i thonë: ‘Kjo është ajo që dua të bëj. Nëse nuk dëshiron të jesh pjesë e saj, ma thuaj, por gjërat do të shkojnë kështu’”, u shpreh ai.

Ferdinand foli edhe për të ardhmen e Ronaldos në Kombëtaren portugeze, duke theksuar se kapiteni ende mund të ketë një rol të rëndësishëm në skuadër.

“Besoj se ai ka ende një rol për të luajtur. Çështja është nëse do të jetë titullar, një zëvendësues i rëndësishëm në disa ndeshje, apo nëse do të startojë në disa takime dhe do të hyjë nga stoli në të tjera. Për këtë duhet të diskutohet dhe më pas duhet të respektohen marrëveshjet e arritura”, tha Ferdinand.

Në fund, ish-mbrojtësi i Manchester United nënvizoi se detyra e një trajneri nuk është vetëm të menaxhojë skuadrën në aspektin taktik, por edhe marrëdhëniet me futbollistët.

“Këta trajnerë paguhen për të menaxhuar një skuadër, por paguhen edhe për të menaxhuar njerëzit”, përfundoi Ferdinand.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?