
Organizatori i protestave, Çlirim Haziri, ka folur për incidentin e një dite më parë me deputetin e Vetëvendosjes, Fahrush Rexhepi, i cili u mbajt për disa kohë nga protestuesit dhe nuk u lejua të largohej nga Kuvendi i Kosovës. Haziri kërkoi falje për incidentin, duke theksuar se kjo ndodhi në momente tensioni dhe provokimi të masës.
Haziri tha se protestuesit prej 21 ditësh kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe akuzoi institucionet për mosreagim ndaj kërkesave të tyre. Sipas tij protestat do të vijojnë, duke theksuar se kërkesa e tyre është ndryshimi i ligjit dhe se lëvizja nuk synon dhunë apo huliganizëm, shkruan A2 CNN.
“Jemi në sheshin Skënderbeu prej 21 ditësh me një kërkesë të thjeshtë; ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. Kërkojmë drejtësi të drejtë të bazuar në fakte e prova dhe jo drejtësi të diktuar politikisht nga Serbia e Rusia. Jemi para institucioneve që nuk na dëgjuan asnjëherë. Dje kur kishin mundësi për ta votuar filluan lojërat politike duke vendosur kushte mbi kurrizin e UÇK dhe gjakun e dëshmorëve dhe duke tentuar të bëjmë Pazar politik me gjakun e dëshmorëve që ranë për liri. Sjellja e policisë e shndërroi këtë shesh në të një sistemi policor dhe kjo është e papranueshme. Ne e kemi ruajtur policinë si sytë e ballit. Policia është e jona.
Më vjen keq për incidentet e djeshme dhe me një deputet të VV që ishte familjar dëshmori. Ishte një provokim që ndodhte kur gjithçka ishte e tensionuar. Deri në momentin që policia gjuajti me gaz lotsjellës. Kemi qenë me gra e fëmijë, dhe kanë gjuajtur me gaz lotsjellës sikur të mos jemi bashkë në një kauzë. Ne do të vazhdojmë edhe sot të qëndrojmë e nuk do ndalojmë, se zëri jonë nuk është forca, zëri jonë është kërkesa jonë. Zëri jonë në shesh nuk është dhunë a huliganizmi. Zëri jonë janë dëshmorët tanë dhe UÇK”, tha Haziri, përcjell A2 CNN.
(A2 Televizion)