Policia e Tiranës finalizoi një tjetër operacion kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, duke vënë në pranga tre persona të dyshuar për përfshirje në aktivitetin kriminal.

Të arrestuarit janë Marjo Cene, Mit’hat Koçi dhe Kostandinos Doko, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në operacionin e pak ditëve më parë, “Shkolla të Pastra”. Të tre akuzohen për prodhim dhe shitje narkotikësh dhe dyshohet se ushtronin aktivitetin e në zona pranë shkollave në Tiranë.

Pak ditë më parë Antidroga e Tiranës zhvilloi një operacion me 51 masa sigurie, 31 prej të cilëve u ekzekutuan, 14 u shpallën në kërkim. Fokusi kryesor është vendosur pranë shkollave, me shpërndarje në të gjithë Tiranën.

Në pranga ka rënë dhe 41-vjeçari Klodian Duro nga Tirana, i dënuar me 5 vjet burgim për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Në vitin 2025, 41-vjeçari ka shitur doza Kokaine, duke lëvizur me një automjet me shërbim taksi, të cilin e drejtonte në mënyrë të parregullt.

Njoftimi i plotë i policisë Tiranë

Vijojnë kontrollet dhe puna operative, për kapjen e shtetaseve të shpallur në kërkim. Ndalohen 4 shtetas, të akuzuar/dënuar për shitje të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa.

-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 finalizuan operacionin e koduar "Vendimi" dhe në kuadër të tij kapën në rrugën “Dhimitër Shuteriqi”, dhe vunë në pranga shtetasin Klodian Duro, 41 vjeç, banues në Tiranë, i cili është dënuar me 5 vjet burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Në vitin 2025, 41-vjeçari ka shitur doza Kokaine, duke lëvizur me një automjet me shërbim taksi, të cilin e drejtonte në mënyrë të parregullt.

-Specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve vunë në pranga shtetasit K. D., 27 vjeç, M. C., 22 vjeç dhe M. K., 30 vjeç, për të cilët është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. 3 shtetasit ishin në kërkim në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra”, pasi akuzohen se kanë shitur lëndë narkotike, në doza, në afërsi të institucioneve arsimore në kryeqytet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë