Nga Albatros Rexhaj
Të hënën, në Tiranë, Bledi Mane po ecte në rrugë me telefonin në vesh kur dikush e quajti “servil të Ramës”. Pastaj erdhën vezët. U hodhën edhe gurë.
Mane pyeti: “Po me mua çfarë keni?”
Pyetja nuk ishte aq naive sa tingëllonte. Bledi Mane nuk është qeveria. As Ylli Manjani. As unë.
Më vonë Gent Progni mori mikrofonin dhe e ktheu atë që kishte ndodhur në çështje radhe. Mane, sipas tij, ishte goditur para kohe. Manjani duhej të ishte i pari, “Albatrosi” pas tij dhe Mane më vonë.
Që këtej e tutje veza nuk më intereson shumë. Veza thyhet, bën pis xhaketën, lahet dhe mbaron aty.
Një listë kërkon mendim. Dikush i ka vënë emrat në radhë. Dikush ka vendosur se cili duhet të jetë i pari dhe cili vjen pas tij. Dhe, me sa duket, kriteri nuk është posti publik, pushteti apo përgjegjësia shtetërore. Ne të tre nuk jemi ministra, nuk votojmë ligje, nuk komandojmë policinë dhe nuk firmosim tenderë. Jemi njerëz që flasim publikisht dhe që, secili në mënyrën e vet, nuk futemi në rreshtin e mendimit që sot dominon një pjesë të madhe të medias dhe të opozitës në Tiranë.
Studiot janë plot me njerëz që e kritikojnë Edi Ramën. Portalet po ashtu. Shumica e analistëve që shoh unë në ekran mendojnë ndryshe nga unë.
Mirë bëjnë. Është e drejta e tyre.
Por e drejta nuk bëhet më e vogël kur mbetesh në pakicë. Pikërisht aty fillon të ketë kuptim.
Gent Progni mund të mendojë se jam gabim. Mund të më kundërshtojë, të shkruajë kundër meje, të tallet me mua, të dalë në televizion dhe të thotë se analiza ime nuk vlen pesë lekë. Kjo quhet debat. Mund të protestojë kundër qeverisë çdo ditë të javës, po të dojë.
Por nuk mund të më caktojë radhën.
Për ta bërë një qytetar të goditshëm, së pari duhet t’i hiqet statusi i qytetarit. “Servil i Ramës” e bën pikërisht këtë punë. Tri fjalë dhe qytetari zhduket: mendimi i tij bëhet porosi, fjala e tij shërbim, dhe ai vetë zgjatim i një pushteti që turma e ka shpallur armik.
Pas kësaj, guri duket më i lehtë.
Provoni ta thoni pa etiketën: “Goditëm një burrë në rrugë sepse nuk na pëlqen çfarë thotë në televizion.”
Nuk tingëllon mirë, sepse nuk është mirë.
Vendosini përpara “servil i Ramës” dhe papritur dikujt i duket protestë.
Njeriu është i njëjti. Guri është po ai. Ka ndryshuar vetëm leja morale për ta hedhur.
Këtu fillon Policia e Mendimit. Jo domosdoshmërisht në ndonjë zyrë, me dosje dhe uniformë. Mund të fillojë edhe në një shesh, kur një grup bindet se ka të drejtë të vendosë cili mendim është i gabuar dhe kush duhet ndëshkuar sepse e ka.
Do të thonë se po e zmadhoj një incident banal. Nuk më shqetëson. Një vezë është banale. Një listë njerëzish që “e kanë radhën” nuk është.
Shaka është kur askush nuk është goditur. Këtu një njeri u godit realisht dhe më pas një tjetër doli publikisht e tha se dy emra të tjerë duhej të kishin qenë përpara tij. Kjo nuk mbyllet me të qeshur. Të paktën duhet të interesojë prokurorinë.
Duhet të interesojë edhe shtetin.
Ne i kemi dhënë shtetit monopolin e forcës për një arsye shumë të thjeshtë: që unë të mos kem nevojë të mbledh njerëzit e mi dhe Gent Progni të vetët. Që rruga të mos vendoset nga numri i njerëzve që mund të sjellë secili. Që Kanuni të mos kthehet aty ku shteti lë bosh vendin e ligjit.
Shteti më thotë: ti ec i lirë, unë të mbroj. Nëse këtë nuk e bën, qytetari fillon të mendojë për mbrojtjen e vet. Dhe aty kemi hyrë në një vend shumë më të shëmtuar se debati politik.
Unioni i Gazetarëve e dënoi sulmin ndaj Bledi Manes. Mirë bëri.
Shoqatat e gazetarëve, rrjetet e lirisë së medias, federatat ndërkombëtare janë zakonisht shumë të shpejta kur dikush prek një gazetar. Këtë herë nuk kam parë të njëjtin refleks.
As nga Bashkimi Evropian. Çdo vit na lexojnë raportin për lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve, standardet demokratike dhe kushtet që duhen përmbushur për të hyrë në Evropë. Një gazetar u godit në rrugë dhe tre emra u vendosën publikisht në një radhë për t’u goditur. Deri tani, nga Delegacioni nuk kam parë asnjë fjali.
Liria e fjalës nuk provohet kur mbron njeriun që mendon si ti. Ajo provohet kur mbron njeriun që të bezdis, atë që nuk do ta ftoje në tavolinën tënde, atë që do të doje ta kishte gabim.
Gent Progni, unë nuk të kërkoj leje për të menduar. As për të folur.
Ti mund të më kundërshtosh sa të duash. Mund të shkruash kundër meje. Mund të thuash se jam gabim. Me këtë nuk kam asnjë problem.
Por nëse një ditë mendon se e drejta jote e protestës të jep të drejtën të më dalësh përpara, të më bllokosh, të më prekësh apo të më detyrosh me forcë të hesht, atëherë nuk jemi më në debat. Aty ka hyrë ligji. Dhe ligji njeh jo vetëm të drejtën tënde për të protestuar, por edhe të drejtën time për t’u mbrojtur.
Unë do të vazhdoj të mendoj siç mendoj. Do të vazhdoj ta them. As veza, as guri dhe as mikrofoni nuk ndryshojnë ndonjë gjë këtu.
Por lista më intereson. Listat kanë një zakon të keq: fillojnë me emra, pastaj kërkojnë radhën.
Lini një Përgjigje