Gazetari Bledi Mane ka reaguar pas incidenti që ndodhi dje në qendër të Tiranës, ku ai u rrethua nga një grup protestuesish dhe u sulmua me vezë. Mane thotë se ndryshe nga politikanët që ia mbathin me vrap, ai qëndroi dhe u përballë me protestuesit.
Ai tregon se ka qenë duke ecur qetësisht në rrugën "Abdi Toptani" dhe është ndjekur nga një grup rreth 30 personash të ashtuquajtur "protestues të revolucionit flamingo", të cilët si fillim e kanë goditur me një vezë dhe një gur të vogël në pjesën e pasme të kokës.
"U detyrova të ndaloj e ti pyes "çfarë kishin me mua personalisht" por turma e agravuar filloi në kor të shante, të fyente e të kërcënonte në mënyrë të organizuar dhe histerike. U përballa me ta në çdo sekondë pa pasur frikë e pa ikur me vrap", shkruan ai.
Bledi Mane thekson se turma prej 30 personash, mes të cilëve edhe minorenë, mes sharjeve dhe kërcënimeve i tregonte se si duhet të bëjë gazetari dhe çfarë duhet të shkruajë, e si duhet të flasë në televizor.
"Natyrisht që asnjë individ e asnjë turmë sado e paguar nuk i ndalon dot kurrë gazetarët në misionin e tyre por po i bëj thirrje publike arlindqorrëve dhe goneshehajve të politikës të ndalojnë së paguari cilindo gangëster rruge pasi me vezët që ata godasin nuk do marrin kurrë pushtetin e ëndërruar", vijon ai.
