Një aksident tragjik në vendin e punës i ka marrë jetën një 59-vjeçari shqiptar në Itali. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 13:30, në rrugën Coletti, në zonën e Rivabellës.
Viktima është identifikuar si Saim Myrtaj, 59 vjeç, me profesion murator. Ai po punonte në një pallat dykatësh, ku po kryheshin punime mirëmbajtjeje në pjesën e jashtme të ndërtesës, kryesisht në tarraca dhe në strukturën e çatisë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se Myrtaj ndodhej i vetëm në katin e dytë të skelës kur, për arsye që ende nuk janë bërë të qarta, humbi ekuilibrin dhe ra nga një lartësi prej disa metrash.
Ai përfundoi në tarracën e apartamentit në katin e parë. Banori i këtij apartamenti dëgjoi zhurmën e fortë të përplasjes dhe, sapo kuptoi se kishte ndodhur një aksident, njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e urgjencës 118, të cilat i dhanë ndihmën e parë 59-vjeçarit dhe arritën ta stabilizonin. Për shkak të gjendjes së rëndë, ai u transportua me helikopter në spitalin Bufalini të Cesena-s, ku u shtrua në reanimacion.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, plagët e marra nga rënia rezultuan fatale dhe 59-vjeçari nuk mundi të mbijetonte.
Në vendin e ngjarjes shkuan edhe zjarrfikësit, efektivët e Policisë së Shtetit dhe teknikët e Mjekësisë së Punës. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar me saktësi se si ndodhi aksidenti dhe nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë në punë.
Hetuesit po punojnë për të rindërtuar të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme.