E martë, 6 Tetor 2026 Lajme Ora 12:00 dhe Moti deri në 12:20 Në vijim ora 12:20: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, prokuroria çon në gjykatë xhaxhain dhe nipin, akuzat që rëndojnë mbi ta

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja një vit më parë në ambientet e Gjykatës së Apelit.

Prokuroria ka çuar në gjyq dosjen në ngarkim të xhaxhait dhe nipit, Gjon dhe Ervis Shkambi.

Reklamë

Për të riun Ervis Shkambi rëndojnë akuzat ‘Vrasje e funksionarëve publikë’ dhe ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ kundër palëve ndërgjyqëse e mbetur në tentativë si dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga nenet 79/a, 79/ç dhe 278/1 të Kodit Penal.

Për Gjon Shkambin rëndon akuza për ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’.

Në gjyq shkoi edhe B.K., për ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 79/ç dhe 248 të Kodit Penal.

Njoftimi i prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Elvis Shkambi, për veprën penale ‘Vrasje e funksionarëve publikë’ dhe ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ kundër palëve ndërgjyqëse e mbetur në tentativë si dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga nenet 79/a, 79/ç dhe 278/1 të Kodit Penal.

Po kështu, në gjyq u dërguan dhe shtetasit Gjon Shkambi, për ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ si dhe B.K., për ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 79/ç dhe 248 të Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.7416, viti 2025 më datë 06.10.2025, nisën pasi rreth orës 15.38, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u njoftua se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është qëlluar me armë zjarri gjyqtari A.K.

Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, përfshirë këqyrjen e vendit të ngjarjes, administrimin dhe këqyrjen paraprake të pamjeve filmike, rezultoi se gjyqtari A.K., u qëllua në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse R.K. ku palë të treta ishin edhe shtetasit Gj.Sh. dhe nipi i tij E.Sh.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari A.K., i pandehuri E.Sh., nxorri nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit. Më pas ai ia ka drejtuar pistoletën shtetasve R.K. dhe E.K., të cilët kanë tentuar të largohen nga salla, duke shkaktuar plagosjen e shtetasit E. K. në dorën e djathtë dhe dëmtimin e shtetasit R. K. në trup.

Menjëherë pas këtij veprimi, i pandehuri E.Sh., ia ka dorëzuar armën e zjarrit punonjësit të sigurisë së Gjykatës dhe ka dalë në oborrin e Gjykatës, ku është kapur në flagrancë.

Në përfundim të hetimeve dhe nga provat e administruara rezultoi se i pandehuri E.Sh., e kreu veprën penale në bashkëpunim me të pandehurin Gj.Sh. dhe këta shtetas kanë konsumuar të gjitha veprat penale për të cilat akuzohen. Shtetasi E.Sh deklaroi se armën e ka pasur edhe në seanca të tjera dhe se xhaxhai i tij e dinte këtë fakt. Nga provat rezulton se ndërmjet tyre dhe familjes së shtetasit E.K., ka pasur një konflikt të vazhdueshëm pronësie.

Për sa i përket të pandehurit B.K., rezulton se ai ka konsumuar në të gjitha elementet e veprës penale të Shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Nga hetimet rezultoi se të dy shtetasit E.Sh. dhe Gj.Sh., kanë hyrë në gjykatë pa u kontrolluar, dhe njëri prej tyre kishte armë, të cilën e përdori brenda sallës ku për pasojë gjyqtari A.K. humbi jetën dhe dy persona të tjerë u plagosën. Në  këtë rast kemi cenim konkret, të drejtpërdrejtë dhe jashtëzakonisht të rëndë të interesit juridik që rregullat e sigurisë synonin të mbronin.


Shtetasi B.K., qëndron i ulur dhe nuk kryen asnjë veprim për kontrollin fizik. Po në të njëjtin moment, ai nuk kryen regjistrimin e tyre në librin e hyrje-daljeve dhe kjo provohet edhe nga këqyrja e regjistrit.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.