Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij për rendin e veprimeve që duhet të ndërmarrë Kuvendi, në ditën kur skadon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke vënë kështu kushte për zgjedhjen e kreut të shtetit. Para mbledhjes së përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së, Hamza ka kërkuar që fillimisht të votohet në lexim të dytë projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa vetëm më pas të procedohet me zgjedhjen e presidentit. Ky qëndrim është përsëritur edhe më herët nga PDK-ja, e cila ka deklaruar se është e gatshme të diskutojë për presidentin pasi të përfundojë procedura parlamentare për projektligjin. Hamza i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti të thërrasë seancën e Kuvendit, në mënyrë që të votohet fillimisht projektligji dhe më pas të diskutohet për presidentin. Përplasja mes palëve për rendin e votimeve vjen në një moment kritik për Kosovën. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, Kuvendi rrezikon të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.