Surpriza në skenë, Shakira reagon për Dua Lipën: Një ëndërr e bërë realitet
Një moment i veçantë ka emocionuar publikun në Madrid, pasi Dua Lipa u shfaq papritur në skenë gjatë koncertit të Shakirës, të shtunën, më 3 tetor.
Dy këngëtaret interpretuan së bashku në një version akustik këngën “Antología”, një nga hitet më të njohura të Shakirës, pjesë e albumit të saj “Pies Descalzos”, të publikuar në vitin 1995. Ky ishte takimi i parë i tyre në skenë për të performuar së bashku këtë këngë.
Pas koncertit, Shakira publikoi në Instagram disa fotografi me Dua Lipën dhe e cilësoi praninë e saj si “një ëndërr të bërë realitet për shumë prej nesh”.
Edhe Dua Lipa ndau momente nga performanca dhe falënderoi Shakirën për ftesën. Ajo tha se ishte shumë mirënjohëse që pati mundësinë të këndonte së bashku me të dhe se gjatë performancës dukej sikur “ajo, Shakira dhe publiku u bënë një”.
Shakira iu përgjigj artistes shqiptare duke e falënderuar për ardhjen dhe për ndarjen e talentit të saj me publikun. “Të duam, hyjneshë”, shkroi ajo.
Koncerti i 3 tetorit pati edhe një tjetër moment historik për Shakirën. Transmetimi i drejtpërdrejtë i koncertit përmes Amazon Music u bë livestream-i koncertor më i ndjekur i platformës nga një artiste femër.
Shakira po zhvillon aktualisht një seri prej 12 koncertesh në Madrid, në kuadër të turneut të saj botëror “Las Mujeres Ya No Lloran”. Koncertet në Madrid do të vijojnë deri më 12 tetor, ndërsa turneu do të përfundojë me dy performancat e fundit, më 18 tetor në Kirgistan dhe më 28 nëntor në Egjipt.



