FOTO/ Ish-Miss Gjermania lë pas pasarelat, përgatitet për debutimin si boksere profesioniste

6 Tetor 2026, 12:35Lifestyle TEMA
FOTO/ Ish-Miss Gjermania lë pas pasarelat, përgatitet për

Tatjana Genrich është gati të bëjë një kthesë të madhe në karrierën e saj, duke lënë pas përkohësisht pasarelat për ringun e boksit.

33-vjeçarja, e cila u kurorëzua Miss Gjermania në vitin 2022, do të debutojë si boksere profesioniste më 14 nëntor, në një event të organizuar nga SES Boxing në Magdeburg.

Genrich nuk është aspak e panjohur me këtë sport. Ajo merrej me boks që në adoleshencë dhe u shpall tri vite radhazi kampione e landit të Saksonisë-Anhalt në kategorinë e peshave të lehta, në vitet 2007, 2008 dhe 2009.

Dashuria për boksin lindi pas një periudhe të vështirë në shkollë. Modelja ka treguar se shpesh bullizohej dhe kërkonte një mënyrë për të mbrojtur veten.

Tani, pas disa vitesh në botën e modelingut dhe konkurseve të bukurisë, ajo është rikthyer seriozisht në stërvitje. Genrich po përgatitet pesë ditë në javë nën drejtimin e trajnerit Dirk Dzemski, i cili më parë ka punuar me kampionin e botës Robert Stieglitz.

Kundërshtarja e saj për debutimin e 14 nëntorit ende nuk është bërë e ditur. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Genrich synon të ngjitet shpejt në renditjet botërore dhe të luftojë në të ardhmen për titullin kampion bote.

Promotorët e SES Boxing kanë shprehur besim te 33-vjeçarja, duke e krahasuar me ish-kampionen e botës Regina Halmich.

Por Genrich nuk ka ndërmend të heqë dorë plotësisht nga moda. Ajo ka edhe agjencinë e saj të modelingut, ku përfaqëson rreth 80 modele.

“Dua të jem një shembull për vajzat e reja dhe t’u tregoj se mund të jesh e suksesshme si në karrierë, ashtu edhe në sport”, ka deklaruar ajo.

Nëse debutimi i saj në nëntor rezulton i suksesshëm, Tatjana Genrich mund të nisë një kapitull krejt të ri në karrierën e saj, këtë herë larg pasarelave dhe brenda ringut.

Lini një Përgjigje