Një vit nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, Prokuroria përfundon hetimet dhe çon për gjykim 3 persona

6 Tetor 2026 | 12:35

6 tetori shënon një vit nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.

Në këtë përvjetor, Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për ngjarjen dhe ka dërguar për gjykim tre persona, përfshirë autorin e dyshuar të vrasjes së gjyqtarit dhe një punonjës të sigurisë së gjykatës.

Elvis Shkambi është dërguar në gjyq për veprat penale “Vrasje e funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër palëve ndërgjyqëse e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Në gjyq është dërguar edhe Gjon Shkambi, i akuzuar për “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, ndërsa B.K., punonjës i sigurisë së Gjykatës së Apelit, akuzohet për “Shpërdorim detyre”.

Sipas hetimeve, ngjarja ndodhi më 6 tetor 2025, rreth orës 15:38. Policia u njoftua se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ishte qëlluar me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja.

Nga veprimet e para hetimore, përfshirë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe pamjeve filmike, rezultoi se gjyqtari u qëllua gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”. Palë paditëse në këtë proces ishte R.K., ndërsa palë të treta ishin Gjon Shkambi dhe nipi i tij, Elvis Shkambi.

Sipas Prokurorisë, menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari, Elvis Shkambi nxori nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij.

Më pas, ai e drejtoi armën edhe në drejtim të shtetasve R.K. dhe E.K., të cilët tentuan të largoheshin nga salla. Si pasojë, E.K. u plagos në dorën e djathtë, ndërsa R.K. pësoi dëmtime në trup.

Pas ngjarjes, Elvis Shkambi ia dorëzoi armën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe doli në oborr, ku u kap në flagrancë.

Prokuroria thotë se nga provat e administruara gjatë hetimit rezultoi se Elvis Shkambi e kreu veprën penale në bashkëpunim me Gjon Shkambin. Sipas organit të akuzës, Elvis Shkambi ka deklaruar se armën e kishte pasur edhe në seanca të tjera dhe se xhaxhai i tij ishte në dijeni të këtij fakti.

Nga hetimet rezultoi gjithashtu se mes tyre dhe familjes së shtetasit E.K. kishte pasur një konflikt të vazhdueshëm pronësie.

Punonjësi i sigurisë akuzohet për shpërdorim detyre

Për punonjësin e sigurisë B.K., Prokuroria ka arritur në përfundimin se ka konsumuar elementet e veprës penale “Shpërdorim detyre”.

Sipas hetimeve, Elvis dhe Gjon Shkambi kanë hyrë në gjykatë pa iu nënshtruar kontrollit dhe njëri prej tyre kishte me vete armën që më pas u përdor brenda sallës së gjyqit.

Prokuroria vlerëson se në këtë rast është cenuar konkretisht dhe drejtpërdrejt interesi juridik që rregullat e sigurisë synonin të mbronin.

Sipas saj, B.K. ka qëndruar i ulur dhe nuk ka kryer veprime për kontrollin fizik të personave. Në të njëjtën kohë, ai nuk ka kryer as regjistrimin e tyre në librin e hyrje-daljeve, fakt që, sipas Prokurorisë, provohet edhe nga këqyrja e regjistrit.

Si pasojë e sulmit të 6 tetorit 2025, gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën, ndërsa dy persona të tjerë u plagosën.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Aksident në ambientet e një kompanie në Vlorë, humb jetën një person

Një person ka humbur jetën në ambientet e një kompanie, në rrethana që dyshohet se lidhen me një aksident në punë. Sipas dëshmitarëve, viktima dyshohet...
12:17 | 06/10/2026

Shtyhet seanca për Erion Veliajn, gjykata gjobit avokatët

Seanca gjyqësore në ngarkim të Erion Veliajt është shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, të cilët janë në bojkot. Gjykata vendosi pezullimin e...
11:00 | 06/10/2026

Ministri Demo dhe Skënder Hita takim me drejtuesit e Policisë në Shkodër

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kanë zhvilluar këtë të hënë një takim me drejtuesit e...
10:48 | 06/10/2026