Në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut është marrë një tjetër vendim që rrëzon një vendimmarrje të vettingut shqiptar.

Shtatë vite pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit e shkarkoi nga detyra, prokurori  Adnan Kosova, mund të rikthehet në sistemin e drejtësisë. Strasburgu e ka konsideruar jo proporcional shkarkimin e tij dhe ka sugjeruar që nëse ish prokurori e kërkon vettingu të ribëhet.

Pasi kishte fituar në KPK konfirmimin në detyrë, KPA e ndarë në 3 vota me 2 kishte vendosur shkarkimin e Kosovës për shkak të mos justifikimit të një kapari të paguar prej 1.5 milionë lekësh. Këtë vendimmarrje GJEDNJ e cilëson si të tepruar pasi “ në bazë të një vlerësimi të përgjithshëm të rrethanave të veçanta të çështjes, autoritetet kombëtare nuk arritën të jepnin arsye "relevante dhe të mjaftueshme" për të justifikuar ndërhyrjen në të drejtën e aplikantit për respektimin e jetës së tij private dhe se shkarkimi i aplikantit ishte në disproporcion me qëllimet legjitime të ndjekura nga procesi i verifikimit”.

Duke konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës, cënim të së drejtës për jetë private, për shkak të ndërprerjes në mes të karrierës, Gjykata e Strasburgut thotë se “Nëse aplikanti e kërkon këtë, do të ishte e përshtatshme të rihapen procedurat e verifikimit dhe të rishqyrtohet çështja në përputhje me kërkesat e Nenit 8, siç përcaktohet në këtë vendim”.

Gjykata i jep një dëmshpërblim prej 11 mijë eurosh, teksa rrëzoi kërkesën e tij për t’u paguar për të gjitha vitet që nuk ka punuar, mbi 220 mijë euro, plus inflacionin, interesat dhe taksat.

Ky vendim i Strasburgut për ish prokurorin Adnand Kosova është shumë i ngjashëm me atë për Antoneta Sevdarin, e cila më pas kërkoi në KPA rishikim dhe u kthye në detyrë, duke u bërë e para që një vendim shkarkimi i formës së prerë u përmbys.

Duhet pritur nëse Adnand Kosova do ta kërkojë rihapjen e çështjes, tashmë në Gjykatë Kushtetuese, e cila ka marrë kompetencat e KPA. Aktualisht në Kushtetuese kanë depozituar rishikim vendimi 4 ish magjistratë, prokurorët Ferdinand Elezi, Gentjan Osmani dhe gjyqtarët Ervin Metalla e Izet Kadana, për të cilët Gjykata e Strasburgut ka sugjeruar rihapjen e procesit.

 

 

Kliko ketu për të lexuar dokumentin e plotë...