Hekurudha Tiranë-Durrës-Aeroport, Karakaçi: Ky projekt është një hap i rëndësishëm në Shqipëri
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po përgatit një Kontratë të Shërbimit Publik për transportin hekurudhor të udhëtarëve në linjën Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit. Ministri Enea Karakaçi tha se kontrata synon të krijojë një shërbim modern, të rregullt dhe të orientuar drejt pasagjerëve.
Gjatë takimit me përfaqësues të kompanive ndërkombëtare, Karakaçi e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e transportit hekurudhor në Shqipëri.
“Bëhet fjalë për Kontratën e Shërbimit Publik për transportin hekurudhor të udhëtarëve në korridorin Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit. Një projekt që kërkon jo vetëm ekspertizë dhe përvojë, por edhe një vizion të përbashkët për atë se si duam të duket transporti publik shqiptar në vitet që vijnë”, u shpreh ministri.
Sipas tij, linja Tiranë-Durrës-Aeroport është pjesë e një programi më të gjerë për modernizimin e hekurudhës shqiptare. Projekti përfshin rehabilitimin e linjës ekzistuese, lidhjen hekurudhore me aeroportin, ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin. Punimet për rehabilitimin dhe stacionet janë drejt përfundimit, ndërsa elektrifikimi pritet të përfundojë brenda vitit 2027.
Karakaçi tha se investimet nuk kufizohen vetëm te kjo linjë. Në veri po vijon përgatitja e projektit për linjën Vorë-Hani i Hotit, rreth 120 kilometra e gjatë, e cila synon lidhjen e Shqipërisë me Malin e Zi dhe rrjetin evropian. Sipas ministrit, vlerësimi i ofertave është në fazën përfundimtare dhe fituesi pritet të shpallet brenda këtij viti.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është linja Durrës-Rrogozhinë, pjesë e rrjetit TEN-T dhe Korridorit VIII. Projekti parashikon rehabilitimin e linjës, stacione të modernizuara, sisteme të reja sinjalizimi dhe telekomunikacioni, si dhe shpejtësi projektimi deri në 120 km/orë. Edhe për këtë projekt, ministri tha se procesi i vlerësimit të ofertave është në fazën përfundimtare.
Në plan janë edhe projektet Rrogozhinë-Pogradec dhe Rrogozhinë-Fier-Vlorë, përfshirë lidhjen hekurudhore me Aeroportin e Vlorës. Po ashtu, qeveria po punon për projektin e linjës Durrës-Prishtinë, ndërsa një tjetër prioritet është transporti hekurudhor i mallrave.
“Lidhja Sukth-Porto Romano do të krijojë lidhje të drejtpërdrejtë hekurudhore me portin e ri në Porto Romano dhe do të forcojë lidhjen ndërmodale ndërmjet hekurudhës dhe transportit detar”, tha Karakaçi.
Ministri theksoi se synimi është krijimi i një rrjeti që lidh qytetet, aeroportet, portet, zonat turistike dhe korridoret ndërkombëtare.
Por, sipas tij, ndërtimi i infrastrukturës nuk është objektivi i vetëm. “Qëllimi final është që qytetarët ta ndjejnë realisht ndryshimin dhe për këtë ne duhet të sigurojmë edhe një shërbim hekurudhor modern, të rregullt, të besueshëm dhe të orientuar drejt pasagjerit”, deklaroi ministri.
Pikërisht për këtë arsye, Kontrata e Shërbimit Publik për linjën Tiranë-Durrës-Aeroport do të përcaktojë mënyrën e operimit të shërbimit hekurudhor, standardet që duhet të plotësohen, përgjegjësitë e operatorit dhe mënyrën e kompensimit.
Sipas Karakaçit, kontrata do të përfshijë oraret, volumin e shërbimit, mjetet lëvizëse, mirëmbajtjen, përdorimin e depos në Shkozet, kohën e mobilizimit, kohëzgjatjen e kontratës, të ardhurat nga biletat dhe treguesit e performancës.
“Ne nuk duam thjesht një operator që të kryejë kilometra hekurudhorë. Duam një shërbim që të jetë i matshëm dhe i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, në kohë, i sigurt, i besueshëm, i mirëmbajtur dhe me një cilësi të përcaktuar qartë”, tha ai.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se procesi synon të përfshijë edhe sektorin privat dhe operatorë ndërkombëtarë, me qëllim sjelljen e ekspertizës dhe përvojës së tyre në sistemin hekurudhor shqiptar. Konsultimi me tregun pritet të ndihmojë në përcaktimin e zgjidhjeve për mjetet lëvizëse, financimin, mirëmbajtjen dhe nisjen e shërbimit.
Një tjetër objektiv është edhe rritja e kapaciteteve vendase dhe transferimi i njohurive te punonjësit e Hekurudhës Shqiptare, veçanërisht në fushën e mirëmbajtjes.
“Sot Shqipëria është në një fazë të re për hekurudhën. Po investojmë në infrastrukturë, po rehabilitojmë korridoret ekzistuese, po përgatisim elektrifikimin dhe sistemet moderne të sinjalizimit, po lidhim hekurudhën me aeroportet dhe portet, po rikthejmë lidhjet ndërkombëtare”, u shpreh Karakaçi.
Sipas tij, Kontrata e Shërbimit Publik për Tiranë-Durrës-Aeroport është një nga hapat kryesorë për ta kthyer investimin në infrastrukturë në një shërbim konkret për qytetarët.




