Tirana dhe Korça me çmimet më të larta të ushqimeve, në Kukës shpenzojnë më pak

Aktualitet

Tirana dhe Korça me çmimet më të larta të

Çmimet e larta kanë rritur peshën e shpenzimeve për ushqime në buxhetet familjare gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të sotshme të INSTAT Nga anketa e Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare pjesa më e madhe e buxhetit mujor vijon të shkojë për ushqime dhe pije joalkoolike.

Në vitin 2025, një familje shpenzoi mesatarisht 37,859 lekë në muaj për ushqime, e barabartë me 39.8% të totalit të shpenzimeve. Një vit më parë pesha e ushqimeve ishte 39.6%, duke treguar një rritje të lehtë të pjesës së buxhetit që familjet duhet të rezervojnë për nevojat bazë. Brenda shpenzimeve për ushqime, peshën më të madhe e zënë perimet, me 20.2%, të ndjekura nga mishi dhe nënproduktet e tij, me 16.6%, si dhe qumështi, djathi dhe vezët, me 15.5%.

 

 

Vitin e kaluar shpenzimet mesatare mujore për konsum të një familjeje shqiptare arritën në 95,227 lekë në vitin 2025, me një rritje prej 2.3% krahasuar me një vit më parë.

Familja mesatare e marrë në konsideratë nga anketa përbëhej nga 3.1 persona. Në total, shpenzimet për konsum të familjeve në Shqipëri vlerësohen në rreth 72.3 miliardë lekë në muaj, ose 2.6% më shumë se në vitin 2024.

Kategoria e dytë më e rëndësishme në buxhetin familjar është banesa. Shpenzimet për banesën, ujin, energjinë elektrike dhe qiranë e paguar arritën mesatarisht në 9,218 lekë në muaj, ose 9.7% të buxhetit familjar, nga 9.6% një vit më parë.

Familjet shpenzuan mesatarisht 7,153 lekë në muaj për restorante dhe hotele, kategori që përfaqësonte 7.5% të shpenzimeve të përgjithshme. Transporti zinte 7.2% të buxhetit, ndërsa mobilimi, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja e banesës 6.6%.

Argëtimi dhe kultura me rritjen më të fortë

Në raport me vitin 2024, rritja më e fortë e shpenzimeve u regjistrua te kategoria “argëtim dhe kulturë”, me 10%. Pas saj renditen shpenzimet për pije alkoolike dhe duhan, me rritje 5.1%, dhe ato për transport, me 5%. Pesha e argëtimit dhe kulturës në buxhetin total u rrit, nga 2.6% në vitin 2024 në 2.8% në 2025. Ndërkohë, pesha e shpenzimeve për shëndetin u ul nga 3.8% në 3.4%, ndërsa ajo e veshjeve dhe këpucëve zbriti nga 5.1% në 5%.

Familjet në Tiranë rezultojnë me nivelin më të lartë të konsumit në vend, me mesatarisht 110,904 lekë në muaj, rreth 16 mijë lekë mbi mesataren kombëtare.

Pas Tiranës renditen Korça, me 93,381 lekë në muaj, dhe Durrësi, me 91,992 lekë. Në skajin tjetër, shpenzimet më të ulëta regjistrohen në Kukës, me 76,009 lekë në muaj, dhe në Dibër, me 77,027 lekë.

Të dhënat e grafikut të iNSTAT tregojnë se pas Durrësit renditen Fieri me 89,750 lekë, Shkodra me 87,900 lekë, Lezha me 86,935 lekë, Vlora me 86,669 lekë, Gjirokastra me 86,528 lekë, Berati me 86,249 lekë dhe Elbasani me 83,174 lekë në muaj.

 

ME TE LEXUARAT