Qyteti i planit, qyteti i klanit - Parku Rinia dhe beteja për Tiranën

Qyteti i planit, qyteti i klanit - Parku Rinia dhe beteja për Tiranën

12:48, 06/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi/

Parku Rinia nuk është një copë tokë që ka mbetur rastësisht e lirë në qendër të Tiranës.
Ky park është produkt i një historie planifikimi urban që fillon në vitet e para të shekullit të kaluar dhe që lidhet drejtpërdrejt me përpjekjen për ta kthyer Tiranën në një kryeqytet modern.
Bashkia e Tiranës e vendos projektin e parë për këtë hapësirë në vitin 1923, ndërsa variantin më të suksesshëm të planit për qendrën e Tiranës në vitin 1931, të hartuar nga arkitektët italianë Armando Brasini dhe Florestano Di Fausto. Në këtë konceptim përfshiheshin kompleksi i ministrive, Bashkia, Banka Kombëtare, Sheshi Skënderbej, lulishtet dhe hapësira që sot njihet si Parku Rinia.

Ky fakt duhet të jetë pika e nisjes së çdo debati serioz.

Parku Rinia nuk është krijuar si një shtojcë e qytetit, as si një boshllëk mes ndërtesave që pret ditën kur dikush do ta shfrytëzonte për ndërtim. Ai ishte pjesë e një koncepti urban. Ishte pjesë e mënyrës se si mendohej qendra e kryeqytetit. Plani nuk projektonte vetëm godina; projektonte edhe hapësirat ndërmjet tyre. Nuk ndërtonte vetëm administratën e shtetit; ndërtonte edhe peizazhin publik ku ajo administratë do të vendosej.

Plani i vitit 1923 ishte përpjekja e parë rregulluese, ndërsa gjatë viteve ’20 dhe ’30 planet u zhvilluan më tej. Brasini u angazhua në konceptimin e qendrës së re administrative dhe të aksit të bulevardit, ndërsa Florestano Di Fausto vazhdoi zhvillimin e qendrës së ministrive.

Nëse sot flasim për “zhvillimin” e qendrës së Tiranës, duhet të kujtojmë se qyteti është zhvilluar edhe më parë, por zhvillimi i tij nuk është konceptuar vetëm si rritje e volumit të ndërtimit. Ishte një zhvillim i mbështetur mbi një ide të tërësisë urbane.
Sot kemi kaluar nga qyteti i planit te qyteti i klanit. Nga qyteti i parqeve e kopshteve tek qyteti i parcelave me bimësi betoni.

Në qytetin e planit, pyetja shtrohet se çfarë funksioni ka kjo hapësirë për Tiranën? Në qytetin e klanit, Tirana është parcelë ku prona e qytetit dhe e privatit shihet si plaçkë, si ta marrin e e sa mund të fitojnë mbi të?

Në vitin 2000, sipas Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, u shembën rreth 130 ndërtime dhe u larguan më shumë se 45 mijë metra kub mbetje, për ta rikthyer parkun si hapësirë publike dhe të gjelbër. Kjo fjali është refreni i preferuar i patronazhimit social pa sy e veshë që dashurinë për qytetin e gjejnë vetëm kur kthehen në vendlindjen e tyre diku qindra kilometra larg Tiranës.
Atëherë politika ramiste e qytetit pretendonte se po e çlironte Parkun Rinia nga pushtimi i interesave private dhe po ia kthente qytetarëve. Sot, në të njëjtën hapësirë, kemi një projekt privat milionerë e një kullë 78 metra të lartë. Ku vendoset kufiri mes interesit privat dhe interesit publik?

Si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Rama e ndërtoi identitetin e tij politik mbi transformimin urban të kryeqytetit, me anë të bojërave mbi pallate si një cirk amatorial i një province të humbur.
Çfarë e shkaktoi këtë "ndryshim vizioni" dhe kush e përcakton interesin publik të qytetit? Klani? Interesi? Epshi i parasë? Çmenduria? Varësia?
A i duhen Tiranës kaq shumë hotele e zyra luksoze në qendër të saj duke sakrifikuar oksigjenin, ajrin, shëndetin, historinë dje, sot e në të ardhmen? Apo duhen zyra e kulla për call center mashtrimi, pastrimi parash droge, riciklim kapital korrupsioni?

Edhe konkursi për projektin e ri kërkon vëmendje. Studioja BIG fitoi konkursin për projektin e “Tirana Fountain Plaza”, ndërsa propozimi parashikon kullën 78 metra mbi kompleksin ekzistues “Tajvani”.
Emri BIG nuk i jep automatikisht një projekti statusin e interesit publik. Një arkitekt i famshëm nuk mund të vendosë vetë se çfarë i duhet Tiranës.
Gjatë prezantimit të projekteve në garë Rama dha një sugjerim publik lidhur me projektin fitues, ndërkohë që më herët ishte shprehur se juria do të vendoste e lirë dhe pa orientim. Kjo është një arsye e mjaftueshme që procesi të shpjegohet publikisht dhe me dokumente e duhet të bëhen publike dokumentet e pronësisë, procedurat e konkursit, kriteret e vlerësimit, parametrat urbanistikë, ndikimi në trafik, ndikimi në infrastrukturë, raporti me gjelbërimin dhe mënyra se si projekti lidhet me planet rregulluese të qytetit.
Çfarë vlere ka një plan rregullues nëse qeveria mund ta interpretojë qytetin sipas klientelizimit, parasë apo çmendurisë së pushtetit?
Një plan urbanistik nuk është një vizatim mbi mur. Ai është kontratë publike mbi mënyrën se si qyteti duhet të zhvillohet. Nëse një hapësirë është konceptuar për një funksion të caktuar urban, ndryshimi i saj duhet të justifikohet jo vetëm me faktin se është teknikisht i mundur, por me arsyen se pse qytetit i duhet ai ndryshim. Kjo është përgjegjësia politike. Parku Rinia është simbol e bëhet simbol i një problemi shumë më të madh të Tiranës.

Parku Rinia është një nga ato vende ku qyteti duhet të tregojë se çfarë vlere i jep hapësirës publike.
Historia e Tiranës moderne filloi me plane që kërkonin të krijonin një kryeqytet modern europian. Në atë histori janë Brasini, Di Fausto, Bosio, bulevardet, ministritë, sheshet, lulishtet dhe parqet.

Tirana nuk është një pasuri e paluajtshme që rinovohet sa herë ndryshon çmimi i tokës. Tirana është një qytet me histori, me hapësira publike dhe me një kujtesë urbane. Parku Rinia nuk është boshllëk në qytet. Është pjesë e qytetit.

Çfarë Tirane po zgjedhim të ndërtojmë dhe çfarë Tirane po pranojmë të humbasim për ta bërë këtë?
Tiranën e klaneve që jo rastësisht ky projekt aprovohet pak muaj para zgjedhjeve lokale?!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco